“Për ne si grup, por edhe për mua personalisht, klikimet nuk kanë rendësi aspak. E dimë shumë mirë se me klikimet mund të manipulohet, prandaj nuk e matim suksesin tonë me to. Ne i takojmë një gjenerate, ku suksesi tregohet atëherë kur i tërë publiku i këndon këngët bashkë me ne.”, theksoi Arif Ziberi, lideri i grupit legjendar “Elita 5”, i cili në një intervistë ekskluzive për InfraRed të gazetës KOHA tregon shumë gjëra për veten, muzikën dhe gjithçka që i intereson lexuesit. Ai thotë se nuk kanë të ndalur me koncerte, por edhe me këngë të reja, pasi që është kërkesë e fansave të tyre. “Ne jemi duke punuar për një projekt të madh, planifikojmë shumë shpejtë të mbajmë koncert me Filarmoninë.”, theksoi për KOHA, Arif Ziberi, duke shtuar se përvec angazhimit profesional, ai i përkushtohet edhe familjes së tij.(INA)