Në mënyrë solemne në fshatin Kamjan të komunës së Bogovinës është bërë inaugurimi i tetë ujëvarave. Synimi i promovimit të këtyre tetë ujëvarave është që në të ardhmen fshati Kamjan të shpallet fshat turistik, ndërsa tashmë ky fshat ka shumë vizitorë. Naser Nuredini, ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor tha se ky rajon ka një biodiversitet shumë të madh dhe me vlera të larta. “Kjo është një mënyrë se si ne kujdesemi për mbrojtjen e natyrës pasi që ashtu siç kemi shpallur zona tjera të mbrojtura, poashtu kemi shpallur edhe një pjesë të malit Sharr për park kombëtar. Kjo tregon se ne duhet të kujdesemi në mënyrë më të mirë për natyrën, por njëkohësisht duke zhvilluar turizmin ne angazhohemi që të zhvillojmë edhe ekonominë në këtë rajon. Ky rajon ka një biodiversitet shumë të madh, me vlera të larta, njëjtë edhe siç është shteti jonë, me shumë popuj, me shumë gjuhë, me shumë kultura, prandaj edhe ne duhet të respektojmë edhe biodiveristetin e natyrës”, tha Naser Nuredini, ministër i Ekologjisë.

Advertisements

Kryetari i komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu tha se ky projekt është iniciuar nga ana e Bashkësisë Lokale të fshatit Kamjan. ”Puna e tyre e palodhshme sot po rezulton me sukses të madh sepse gjithandej po përmenden ujëvarat e Kamjanit. Kjo ka bërë që të kemi turist të shumtë nga vendi jonë, por kohëve të fundit kemi turistë edhe nga shtetet fqinje. Ne si komunë kemi përkrahur këtë iniciativë dhe kemi qenë përkrah banorëve dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim edhe në të ardhmen që të mbështesim këta iniciativa që kanë për qëllim zhvillimin e komunës së Bogovinës”, tha kryetari i komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu. Në këtë promovim ka qenë i pranishëm edhe shefi i shtetit Stevo Pendarovski. Në fshatin Kamjan, këta ujëvara ekzistojnë me dekada por nuk ka patur interesim që të njëjtat të kthehen në vende atraktive për vizitorë të shumtë. Me këtë rast janë ndërtuar 22 ura, 23 palë shkallë, si dhe janë hapur 900 metra shteg tokësor me gjithsej 816 metra rrethoja siguruese. Gjatësia e shtegut nga hyrja deri tek ujëvara e tetë është mbi 1300 metra, ndërsa lartësia mbidetare e ujëvarës është 925 metra. (koha.mk)