Me shërbime të mjekësisë primare është i mbuluar mirë pothuajse i tërë territori i Komunës së Pejës, përveç zonës së Rugovës, e cila ende nuk ka mjekë, për 14 fshatrat të saj. Banorët kanë kërkuar një ambulancë të jetë funksionale për këtë zonë për banorët dhe turistët që frekuentojnë Rugovën.

Ramiz Qorraj banor i Rugovës në Komunën e Pejës ka thënë se kjo zonë ka nevojë të madhe të këtë ambulancë e cila do të ofronte shërbime shëndetësore.

Ai ka thënë se dikur Rugova kishte një ambulancë në Kuqishtë, dhe tjetra ishte në Drelaj, e cila për herë të fundit ofroi shërbime para shumë vitesh nga një ekipi mobil.

“Duhet cekur se para lufte në trevën e Rugovës kanë ekzistuar ambulancat. Ambulanca zakonisht ka qenë në Kuçishte që i ka mbuluyar edhe fshatrat tjera. Një kohë ka qenë edhe në fshatin Drelaj. Pas lufte është parë e nevojshme që të ndërtohen edhe dy ambulanca tjera, njëra në Drelaj e tjetra në Haxhaj. Pra dy zona që i përfshijnë të gjitha fshatrat e Rugovës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, banori Ramiz Qorraj.

Kritika për mos funksionimin e ambulancë pati edhe nga opozita në Pejë. Ardian Berisha shef i Grupit Parlamentar të AAK-së në Pejë tha se një qendër e mjekësisë familjare është e nevojshme shumë duke marrë parasysh numrin e banorëve dhe turistëve, përcjell Telegrafi.

“E kemi kërkuar edhe në Kuvend që të kemi një ambulancë pasi mund të kemi turistë të rajoneve të ndryshme që kanë nevojë për ndihmë shëndetësore. Deri tani nuk kemi parë ndonjë ambulantë që është në gatishmëri të qytetarëve të këtyre anëve”, deklaroi Ardian Berisha.

Në komunë kanë treguar se arsyeja e mos funksionalizimit të ndonjërës prej ambulancave ishte numri i pamjaftueshëm i pacientëve. Për sivjet, siç tregon drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, ishte planifikuar që njëra ambulantë të funksionalizohet në orar të përhershëm, por për shkak të pandemisë, sipas tij, vështirë që sivjet mund të realizohet.

“Si pasojë e mungesës së banorëve rezidentë, kemi mbyllje jo vetëm të qendrave shëndetësore por edhe të shkollave. Në vitin e ardhshëm në kuadër të mirëmbajtjes së objekteve kemi planifikuar që të adoptojmë ambientet e ambulantës në fshatin Haxhaj”, deklaroi Petrit Loci.

Banoret thonë se ambulanta më e afërt për familje që jetojnë në bjeshkë të Rugovës, është 17 kilometra larg. Ndërkaq, nga qendra turistike e Bogës duhet të bëhen edhe 10 kilometra më shumë.