Islam Latinski (Islam Latin) dhe Islam Grçki (Islam Grek) janë dy fshatra të lidhura me qytetin e Zadarit, popullsia e të cilëve përbëhet plotësisht nga të krishterë katolikë dhe ortodoksë.

Në Kroaci gjenden dy fshatra fqinjë të cilët me popullsinë plotësisht të krishtere dhe me emrat me fjalën “Islam” janë të vetmet vendbanime të këtij lloji në Evropë, raporton (AA).

Islam Latinski (Islam Latin) dhe Islam Grçki (Islam Grek) janë dy fshatra të lidhura me qytetin e Zadarit, popullsia e të cilëve përbëhet plotësisht nga të krishterë katolikë dhe ortodoksë. Emri “Islam”, i cili është ruajtur nga fshatrat për katër shekuj, është trashëgimi e periudhës osmane, ndërsa vazhdon të ruhet në mes të Evropës edhe sot.

Mendohet se fshatrat, distanca mes të cilëve është vetëm tri kilometra, janë të vetmet vendbanime në Evropë që janë të emërtuar me shprehjen “Islam”.

Në Islam Latinski, ku gjendet një faltore e vjetër e rrënuar islame dhe në rrugët e të cilit mbizotëron heshtja, jetojnë 280 të krishterë, shumica e të cilëve janë katolikë, ndërsa në Islam Grçki jetojnë 200 persona, shumica e të cilëve janë ortodoksë.

Fati i këtij rajoni, i cili gjendet 20 kilometra larg Zadarit, qytet në bregdetin e Detit Adriatik, ndryshoi në vitin 1547 kur hyri nën administrimin osman. Ky vend, i cili u shndërrua në rajon kufitar në perëndim të shtetit osman, u emërtua “Saddislam” (Muri Islam). Rajoni, popullsia e të cilit në atë periudhë ishte me shumicë muslimane, u krishterizua me rimarrjen e rajonit nga Venediku në vitin 1647.

Si pasojë e mosmarrëveshjeve të shekullit të 18-të mes katolikëve dhe ortodoksëve, ky rajon ndahet në dy pjesë, “Islam Latinski” dhe “Islam Grçki”. Duke ruajtur emrin “Islam” edhe përkundër faktit se në atë rajon nuk ngelën muslimanë, katolikët fshatit të tyre i shtojnë fjalën “Latin”, kurse ortodoksët fjalën “Grek”.

Konflikti mes katolikëve dhe ortodoksëve paraqitet si arsyeja kryesore për ruajtjen e emrit “Islam” të fshatrave, të cilat pas periudhës osmane kanë qenë të administruara nga shtete të ndryshme, ndërkohë që së fundi ishin të përfshira dhe në luftërat me baza fetare në vitet e 90-ta.

– Njerëzit nuk pranuan ndërrimin e emrave

Historiani Damir Magas, i cili e informoi gazetarin e Anadolu Agency (AA) rreth të kaluarës së fshatrave, bëri të ditur se me ardhjen e osmanëve, rajoni është shndërruar në një vend më të fuqishëm dhe më të madh, duke shtuar se pak kilometra pas kufirit të Saddislamit, niste kufiri i Venedikut.

Magas më tej theksoi se në atë periudhë shumica e popullsisë përbëhej nga muslimanët, por se kishte dhe pak ortodoksë dhe katolikë. Megjithatë, meqë ishte rajon kufitar, popullsia ishte në numër të vogël.

Ai gjithashtu pohoi se pas përfundimit të periudhës osmane në rajon, muslimanët kanë emigruar nga rajoni dhe se këtu janë vendosur katolikë dhe ortodoksë të sjellë nga rajonet e brendshme të vendit.

“Deshën të vendosin ndonjë emër para kohës së osmanëve, megjithatë njerëzit nuk e pranuan këtë. Njerëzit nuk duan të ndryshojnë diçka që është qindravjeçare”, u shpreh Magas, duke vënë në dukje se në të kaluarën, disa persona kanë kërkuar që të ndërrohen emrat e fshatrave Islam Latinski dhe Islam Grçki.

Magas gjithashtu theksoi se prezenca e emrit “Islam” në emrat e fshatrave, është dhe një tregues i tolerancës në vend.

– Ka shtëpi turke dhe faltore

60-vjeçari Marko Vanjak, i cili jeton në fshatin Islam Grçki, duke bërë të ditur se të moshuarit kanë rrëfyer se shtëpitë e fshatit janë “shtëpi turke” dhe se këtu kanë jetuar edhe turq, shtoi se në fshat ka ende shtëpi dhe varreza të turqve, të ngelura që nga periudha osmane.

Vanjak poashtu tregoi dhe se një shtëpi e braktisur në fshat, dikur është përdorur si faltore islame. “Kjo shtëpi që shihni dhe shtëpia ku kam lindur unë janë afro 500-vjeçare. Dikur kjo është përdorur edhe si faltore. Pranë faltores ka pasur edhe dhomë për mysafirë”, tha ai.

– Populli ka emigruar gjatë luftës serbo-kroate

Vanjak e cilësoi si jo të duhur faktin që disa prej personave të cilët nuk e pranojnë mirë faktin se në emrin e fshatrave përdoret fjala “Islam” janë përpjekur të ndryshojnë këto emra. “Unë kam lindur këtu, ky është emri i fshatit tim. Nuk ka asnjë problem që në emrin e fshatit të jetë fjala ‘Islam’, shtoi Vanjak.

Ai gjithashtu theksoi se raportet mes dy fshatrave ndryshojnë varësisht se kush e udhëheq vendin dhe se përgjithësisht raportet janë të mira sado që herë pas here ekzistojnë tensione.

Duke pohuar se tani në fshatin e tyre jetojnë edhe ortodoksë, Vanjak shtoi se më parë në fshat kanë jetuar një mijë e 500 persona, kurse gjatë ndarjes së Jugosllavisë dhe luftimeve mes kroatëve dhe serbëve, në fshat kanë ngelur vetëm 200 persona të cilët në përgjithësi janë të moshuar.

Nga ana tjetër, 68-vjeçari Srecko Salen nga fshati Islam Latinski për AA tha se është lindur e rritur në këtë fshat dhe se familja e tij kanë ardhur këtu nga Dubrovniku pas shkuarjes së osmanëve nga rajoni.

Salen theksoi se shumica e njerëzve në fshat janë katolikë dhe shtoi se në luftën e fundit shumë persona kanë shkuar si refugjatë në vende të tjera dhe si pasojë e kthimit të një numri të vogël prej tyre, fshati sot është i heshtur.