Një qeveri e re në Maqedoni do të thotë edhe një Proces të Vettingut, të njëjtë si në Shqipëri, i cili do t’i pastronte të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi gjyqësor i vendit. Pra, një proces që do të privonte nga liria një pjesë të konsiderueshme të funksionarëve qeveritarë e komunalë, gjykatësve ose biznesmenëve, ndërkohë që do t’ua konfiskonte edhe pasurinë e arritur nëpërmjet hajnisë e ryshfetit. Në të kundërtën, korrupsioni do ta shkatërrojë Maqedoninë, njëjtë si kanceri një organizëm njerëzor. Pra, ose do të jetë fillimi i fundit të korrupsionit ose fillimi i fundit të shtetit.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Kriza politike në Maqedoni nuk është një betejë e thjeshtë midis partive për të ardhur në pushtet. Nuk është e njëjtë si ajo që ndodhi pas zgjedhjeve parlamentare në vitin 2014 në Kosovë, kur PDK-ja i fitoi zgjedhjet, por koalicioni paszgjedhor VLAN e kishte shumicën. Edhe pse ka shumë ngjashmëri, sërish të dyja krizat dallojnë në thelb. Përplasja midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së mund të interpretohet edhe si një luftë për ndikim midis Lindjes dhe Perëndimit: e para duket të ketë një mbështetje të hapur nga diplomacia ruse, kurse e dyta nga ajo euro-amerikane.

Vizita e dytë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit e komesarit evropian Johannes Hahn i mënjanoi të gjitha dyshimet lidhur me pozicionin e Brukselit zyrtar lidhur me Maqedoninë. Opsioni i formimit të një koalicioni të gjerë qeveritar ka rënë nga kombinimi edhe në kancelaritë evropiane. Në vizitën e parë të Hahn-it, menjëherë pas shpalljes së rezultateve, porosia e tij ishte që të formohet një qeveri me mbështetje të gjerë. Kjo nënkuptonte një qeveri që do të përbëhej nga katër partitë kryesore parlamentare – VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe BESA. Ky koalicion do t’i numëronte 115 deputetë nga gjithsej 120 sa numëron Parlamenti. Një shumicë stabile, me numra për të ndryshuar edhe Kushtetutën po qe nevoja, me qëllim të realizimit të reformave urgjente parësore, që i kërkon BE-ja nëpërmjet Raportit të Pribesë. Janë këto reforma që nënkuptojnë ndryshime rrënjësore në gjyqësi, me qëllim që të sigurohet pavarësi e njëmendtë e këtij sistemi, por edhe në institucionet e sigurisë. Reforma kërkohen edhe në sistemin politik, zgjedhor, mediatik dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Rusia si rrezik

Por, kjo qeveri që Hahn-i e kishte quajtur “me bazë të gjerë” do të kishte një mangësi – do ta pamundësonte punën e Prokurorisë Speciale ose vënien e drejtësisë për rastet e hajnisë së pronës dhe mjeteve publike, të mbledhura nga tatimet që paguajnë çdo ditë qytetarët e Maqedonisë. Me një VMRO-DPMNE që ka një udhëheqësi nën hetime për korrupsion dhe një BDI të kapur nga njerëz që dyshohet të jenë përfshirë në po të njëjtat aktivitete, ajo qeveri do të shërbente vetëm për t’i amnistuar ato. Jo vetëm që do t’i falte, por edhe do t’ua legalizonte pasurinë e arritur në mënyrë joligjore. Pra, me hajni. Bile, do ta legalizonte edhe vetë hajninë, në një farë mënyre. Më konkretisht, itinerari që nënkupton futjen në politikë, fitimin e legjitimitetit zgjedhor, pasurimin joligjor, krijimin e një oligarkie të fuqishme kriminele, rrezikimin e sigurisë dhe amnistinë, do të bëhej një praktikë normale e funksionimit të shtetit. Një itinerar që do ta largonte vendin nga demokracia perëndimore, e bazuar në shtetin e së drejtës, në shtetin ligjor dhe barabarësinë e qytetarëve para ligjit. Kjo rrugë do të krijonte nga Maqedonia një shtet ku një kastë oligarkësh, të lidhur me qendrën e fuqinë politike, t’i kontrollojë të gjitha sferat e jetës – që nga bujqësia e deri te mediat. Një model i shteteve të Kaukazit, shumica e të cilave vetëm formalisht figurojnë si të pavarura pasi politikat e tyre i dikton Moska.

Vizita e dytë e Hahn-it, që u realizua kah fundi i muajit mars, kishte porosi edhe më të prera: presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov, t’ia japë mandatin liderit të LSDM-së që ta formojë qeverinë, pasi ka siguruar shumicën e nevojshme parlamentare. Ky, në fakt, ishte një qëndrim i ri i Brukselit, mjaft i përmbledhur dhe përcaktues. Pas zgjedhjes së presidentit amerikan Donald Trump dhe përcaktimit të tij që ta ketë fokusin në SHBA, BE-ja duket më e vetëdijesuar se problemi tradicional i Ballkanit do t’i ngelë në duart e saja si një patate e nxehtë. Evropa do të ballafaqohet me nevojën e përshpejtimit të vendeve ballkanike në union nëse do të dëshironte ta parandalojë ndonjë konflikt më serioz. Strategjia e pauzimit të procesit të zgjerimit tani kërkon të zëvendësohet me integrim të shpejtë të 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE. Pikërisht mungesa e perspektivës evropiane dhe paralajmërimi i Trump-it se nuk do të jetë aq i preokupuar me problemet jashtë Amerikës, kanë krijuar hapësirë që Rusia ta shtrijë ndikimin e saj ushtarak, ekonomik dhe, rrjedhimisht, edhe politik në vendet e Ballkanit. Modeli i krijimit të shteteve të korruptuara, që do të udhëhiqeshin nga një kastë politiko-kriminele e dëgjueshme dhe e varur nga Moska, ku demokracia do të ishte vetëm një formalitet, duket se tentohet të instalohet edhe në vendet e Ballkanit. Tentimi i krijimit të shteteve si Çeçenia në këtë pjesë Evropës sikur e ka mobilizuar Brukselin, duke e bërë kështu Unionin edhe më të bashkuar kundrejt këtyre rreziqeve. Rritja e forcave ekstreme politike brenda shteteve evropiane, që kanë për qëllim shkatërrimin e BE-së, e ka bërë edhe më serioz këtë rrezik. Në një intervistë për DW, Hahn-i pranoi një aktivitet të shtuar të Rusisë në Ballkan, por sërish potencoi se integrimi në BE ka më shumë mbështetje te qytetarët e këtyre gjashtë shteteve.

Ivanov – rast studimi

Në tërë këtë krizë në Maqedoni si një lojtar naiv, që i përngjan një kamikazi politik, duket të jetë presidenti i shtetit Gjorge Ivanov. Hahn-i nuk arriti as ta takojë atë, pasi që Ivanovi e kishte ndryshuar agjendën. Përveç kësaj, i kishte propozuar euro-komesarit t’i takojë udhëheqësit e protestave të nxitura nga VMRO-DPMNE-ja, të cilët e kundërshtojnë formimin e qeverisë dhe të ashtuquajturën “Platformë Shqiptare”. Kjo Deklaratë e partive, që u përdor nga liderët shqiptarë për t’i rrahur gjoksit patriotik në kohën kur LSDM-ja kishte gatishmëri për të mbyllur të gjitha çështjet ndëretnike, u shfrytëzua si alibi nga presidenti për të mos ia dhënë mandatin Zaevit dhe nga VMRO-ja për të mobilizuar protestues kundër të drejtës së shqiptarëve për të përdorur gjuhën e tyre në nivel zyrtar. Gjithë kjo dukej si një lojë e koordinuar, e cila do të mundësonte imponimin e koalicionit të gjerë me partinë e Gruevskit brenda.

Rasti i presidencës së Ivanovit do të përdoret në shumë vende si “case study” (rast studimi) se si një president shteti i keqpërdor kompetencat e tij për të falur të dyshuarit për korrupsion dhe krim të organizuar, ta bllokojë formimin e institucionit që do të ekzekutojë vendimet e Parlamentit dhe ta çojë vendin e tij drejt shkatërrimit. Asnjë teoricien nuk ka mundur ta paramendojë se një president shteti do të vihej aq hapur në mbrojtje të personave që janë nën hetim për krime të rënda dhe korrupsion masiv. Aq më pak një presidenti i një vendi me status kandidat për anëtarësim në BE. Nuk ka ndodhur deri më tani që një rol kaq destruktiv të luajë një president, shteti i të cilit nuk ka më shumë se dy milionë banorë. Me këtë rol Ivanovi qëmoti shfaqet si një palaço në opinion, i cili sa është qesharak, aq është edhe i rrezikshëm. Deklaratat naive dhe kokëfortësia prej një servili, i cili është betuar se deri në vdekje do t’i shërbejë padronit, e bëjnë krizën edhe më të komplikuar.

Ajo që e bën këtë krizë kaq të komplikuar pa dyshim se është korrupsioni, i metastazuar në gati të gjitha institucionet vertikalisht dhe horizontalisht. Pra, që nga institucionet qendrore, e deri te komunat. Në këtë rast opsionet për dalje nga kriza mund të jenë dy: i pari preferon amnistinë ose faljen, kurse i dyti hetimin, gjykimin dhe burgosjen e funksionarëve të korruptuar. I pari promovohet nga VMRO-ja dhe Ivanovi, ndërsa i dyti nga LSDM-ja dhe diplomatët perëndimorë. Në këtë situatë, kur gjatë viteve të kaluara politika është si rrugë për pasurim të shpejtë, kurse ryshfeti si metodë për të kryer punë, është e pritshme që pjesës më të madhe të aktorëve politikë dhe të biznesit të mos u përgjigjet ndryshimi dhe reformat.

Një qeveri e re në Maqedoni do të thotë edhe një Proces të Vettingut, të njëjtë si në Shqipëri, i cili do t’i pastronte të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi gjyqësor i vendit. Pra, një proces që do të privonte nga liria një pjesë të konsiderueshme të funksionarëve qeveritarë e komunalë, gjykatësve ose biznesmenëve, ndërkohë që do t’ua konfiskonte edhe pasurinë e arritur nëpërmjet hajnisë e ryshfetit. Një proces që pritet të zgjasë, por që do ta çrrënjosë korrupsionin sipas modelit të Kroacisë dhe Rumanisë. Në të kundërtën, korrupsioni do ta shkatërrojë Maqedoninë, njëjtë si kanceri një organizëm njerëzor. Pra, ose do të jetë fillimi i fundit të korrupsionit ose fillimi i fundit të shtetit.