Rritja e parë e plotë e pagave për 78% e funksionarëve do të hyjë në llogaritë e tyre këtë javë. Pasi morën disa mijëra denarë për javën e fundit të marsit, kur Kushtetuesja vendosi që të mos ketë bazë page, funksionarët, tani presin pagesën e plotë të prillit, e cila do t’ua mbushë portofolin deri në 70 mijë denarë më shumë se më parë.

Rritjen më të madhe do ta kenë Pendarovski, Xhaferi dhe Kovaçevski, të cilët janë në krye të hierarkisë shtetërore dhe për ta paga mesatare nga viti i kaluar është shumëzuar me koeficientin më të lartë prej 4.5.

Sipas përllogaritjeve të reja, kryeparlamentari do të jetë politikani me pagën më të lartë prej 166 mijë denarë, 1500 denarë më shumë se kreu i shtetit për shkak të vjetërsisë së punës. Paga mujore e kryeministrit do të jetë 156 mijë denarë ose më shumë se 2500 euro.

Në listën e radhës me rritjen më të madhe janë kryetari i Gjykatës Kushtetuese, nënkryetarët e Kuvendit dhe më pas zëvendëskryeministrat, ministrat, deputetët, kryetarët e komunave dhe të gjithë personat e tjerë të zgjedhur dhe të emëruar… Nga qeveria, ministri i cili do të marrë pagën më të lartë prej 153 mijë denarë është Spasovski, për shkak të shtesës së pagës si shef i policisë, ndërsa zëvendëskryeministrat Grubi, Bytyqi, Grkovska, Mariçiq do të marrin nga 122.000 deri në 129.000 denarë.

Pas reagimeve të shumta në opinion për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Qeveria njoftoi se po mendon uljen e koeficientëve për llogaritje dhe më pas do të hartohet një ligj i ri që do të rregullojë pagat, por se kur do të ndodhë kjo ende nuk dihet.