Nga: Chenxin Jiang
Përktheu: Rexhep Maloku

Kur Angela Merkel i hapi kufijtë për refugjatët në gusht të 2015-s, atë verë qëllova në Berlin. Për ditë të tëra vetëm shikoja lajme dhe lexoja për familjet siriane dhe refugjatët e tjerë që vërshonin stacionet gjermane të trenit. Një vit më vonë u zhvendosa në Berlin, e etur për të bërë çfarëdo qoftë si vullnetare për t’i mirëpritur refugjatët. Iu bashkova një klubi vullnetarësh me gjermanët e të huaj por, si fillestare, më shumë po u nxirrja telashe sesa që po i ndihmoja organizatorët. Bëra përpjekje të kota për ta mësuar arabishten prej një libri të Living Language. Kishte kohë të gjatë prej se isha marrë me përkthim librash dhe materialesh arkivore dhe kështu nuk e kisha entuziazmin e dikurshëm. Kishte dhjetëra mija refugjatë vetëm në Berlin, kështu që çfarë mund të bënte një njeri i vetëm? Asnjëherë nuk më ka rastisur që puna ime si përkthyese veprash letrare, ndër të tjera, edhe nga italishtja në anglisht, të lidhej me kauza politike me të cilat merresha me të madhe.

Pastaj mora një letër elektronike nga një botues: a dëshiron të përkthesh një libër të shkruar nga një mjek italian që drejton një klinikë në ishullin Lampedusa, që ishte bërë vija frontale e përpjekjes humanitare për t’i shpëtuar refugjatët në rrugën e rrezikshme drejt Evropës? Pa kaluar koha e mjaftueshme për ta lexuar librin, ia ktheva: “Po”. Dhe, kur e lexova “Tears of Salt” (Lotët e kripur) u mahnita edhe më shumë me prospektin e përkthimit të veprës. Bashkë me bashkautoren Lidia Tilotta, mjeku lampedusian, Pietro Bartolo, sjell dëshmitë e refugjatëve që i ka shpëtuar: familje të ndara dhe të ribashkuara, gra shtatzëna nga përdhunimet, fatkeqësi tragjike në det.

Bashkë me këto dëshmi është edhe rrëfimi i Bartolos së rritur në Lampedusa, si fëmijë i një familjeje të varfër peshkatarësh. Meqë ishulli nuk kishte shkollë të lartë, rioshi Bartolo u dërgua në Sicili për ta kryer shkollimin e lartë, që të kthehej pastaj në Lampedusa për ta drejtuar klinikën i vetëm. Pranimi i vendit të punës si mjek në një ishull të harruar, afërmendsh se është veprim politik, meqë ua ofron shërbimin mjekësor të gjithë anëtarëve të bashkësisë, edhe nëse ky mund të mos ishte motivi parësor i Bartolos. Për më tepër, kur numri i refugjatëve që po këpusnin Mesdheun mbërriti nivel krize, Bartolo e kuptoi se ishte përfshirë shpirtërisht në diskutimin politik për zotimet humanitare dhe identitetin e Evropës. Këto dilema janë edhe më të tendosura në Lampedusa, port i vogël italian që gjeografikisht është më afër me bregun tunizian se me atë sicilian. Aty shkrihen kufijtë ndërmjet Evropës dhe Afrikës.

Nuk është e nevojshme të thuhet se edhe përkthimi letrar është në thelb veprim politik, asi që tekstet e veçanta ua ofron lexuesve të veçantë duke i zhvendosur përtej kufijve gjuhësorë. Përkthyesit shpesh avokojnë për autorë dhe libra që i përkthejnë, por nuk e marrim përherë të mirëqenë përkthimin si fushatë politike. Madje as që duhet ta mendojmë kështu; është e vërtetë se me kushtimin e vëmendjes një narrative sfiduese dhe intriguese, shprehim qëndrim politik çfarë e vlerësojmë, por ne nuk lexojmë ose përkthejmë libra të mirë vetëm për shkak të importimit politik si akt; ne i lexojmë sepse janë të mirë. Ne, thjesht, nuk mund të ndihmojmë.

Sipas kësaj logjike, sidomos disa libra zënë vend parësor në dimensionin politik të punës së përkthyesit për shkak të rëndësisë aktuale politike – dhe teksa po e mendoja këtë, e mora vesh se shpesh jam joshur prej tyre në të kaluarën. Libri i parë që e kam përkthyer ishte një ditar i revolucionit kulturor kinez, një episod jashtëzakonisht dramatik që kishte kapluar shkollat kineze anembanë dhe ishte adresuar sipërfaqësisht në Hong-Kong, ku jam rritur. Stalla e lopëve e Ji Xianlinit, ditari më i lexuar sipas të gjitha gjasave për revolucionin kulturor në vet Kinën, mendoja se duhet t’u ofrohej edhe lexuesve të anglishtes. Ama, mund ta kishin në duar vetëm nëse do t’u përkthehej.

Dhe bash kjo është puna e përkthimit: e ofron perspektivën e një mjeku italian për Lampedusën – një histori në të cilën vetë dialogu përkthehet nga arabishtja dhe sicilianishtja – që të mund ta lexojnë lexuesit në Newcastle apo New Mexico. Në Lotët e kripur, Pietro Martolo vë në pah atë çfarë mendon se është zgjidhja e drejtë për dilemën humanitare të Evropës, marrë parasysh se krizës së emigrantëve të dëbuar dhunshëm nuk po i shihet fundi. Nuk është se pajtohem me veprën në tërësi, por kjo nuk ka rëndësi: çfarë ka rëndësi është fakti se nëpërmjet versionit anglisht të Lotëve të kripur, perspektiva e autorit bëhet pjesë e diskutimit për mënyrën e reagimit të shteteve mikpritëse të refugjatëve. Vendet anglishtfolëse kanë relativisht pak refugjatë krahasuar me shifrat e panjohura të atyre që kanë hyrë nëpër shtetet evropiane kontinentale, lëre më numrin jashtëzakonisht të lartë të atyre që janë vendosur në Jordani ose Turqi, andaj është me rëndësi të veçantë të mbahet gjallë debati për këtë çështje.

Gianfranco Rosi, regjisori italian i shpërblyer për Zjarr në det, që dokumentoi punën e Bartolos në Lampedusa, ka thënë për filmin: Dua që njerëzit ta shohin filmin që pastaj të thonë: ‘Çfarë qëndrimi kam për këtë çështje? Çfarë mund të bëj?’ Afërmendsh se kjo është dilemë që shtrohet prej një libri a filmi – derisa shpresoj se narrativa e fuqishme e Lotët e kripur provokon reagim të lexuesve dhe nuk kam ndonjë qëllim të programuar se çfarë mund të arrijë vepra. Mbase përkthimi i fjalëve të Bartolos dhe Tilottas do t’ia mbushë mendjen një lexuesi kudo qoftë se nuk mund t’ia dalë me mësimin e arabishtes por, në vend të kësaj, t’i bashkohet ndonjë grupi vullnetarësh e refugjatësh, ose edhe të gjejë ndonjë shteg praktik ku mund të ndihmojë. Mbase do ta ndryshojë mendjen e disa lexuesve dhe do ta përndritë atë të disa të tjerëve. Por edhe nëse Lotët e kripur nuk i nxit drejtpërdrejt lexuesit që të hidhen në aksion, zëri i Bartolos mund të dëgjohet tani edhe me përkthimin e veprës në anglisht, dhe kjo nuk është pak punë. /Revista “Akademia”/