Në Shkup sot do të shënohet fillimi i fushatës ndërkombëtare “16 ditë aktivizim kundër dhunës mbi gratë dhe vajzat”, me mbështetje nga Kombet e Bashkuara dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian.

Qëllimi është që të ngrihet vetëdija dhe të nxiten aktivitete të cilat do të ndihmojnë t’i jepet fund dhunës ndaj grave dhe vajzave në mbarë botën. Çdo vit fushata zgjat 16 ditë, në periudhën mes 25 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës mbi Gratë dhe 10 Dhjetori Dita ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.

Fushata do të përfshijë disa aktivitete, në mesin e të cilave edhe ndriçimin e Kalasë së Shkupit në ngjyrë të portokalltë, mbështetje nga personalitete publike nga fusha të ndryshme, si dhe shumë debate me nxënës të shkollave të mesme dhe studentë nëpër Maqedoni.

Në ngjarjen me të cilën do të fillojë fushata fjalime do të kenë përfaqëues të KB-së, OSBE-së dhe BE-së në Maqedoni, nga Qeveria e RM-së, ambasadorë, kryetarë komunash dhe përfaqësues të shoqatave civile.