Partitë politike në tentimin e tyre për të përfituar sa më shumë vota po shfrytëzojnë rrjetet sociale për promovimin e tyre. Sipas komunikologëve, mënyra e tillë e promovimit po merrë përmasa të mëdha dhe se ky trend duket si shumë i lirë për të prezantuar qëndrime, por i rëndësishëm për të mbërritur deri tek qytetarët.

Sipas komunikologut Bujar Hoxha është rritur shfrytëzimi i rrjeteve sociale dhe se kjo rezulton si efikase. Por sipas tij, është problem vërtetësia e informacioneve të plasuara në këto rrjete.

“Ndikimi është tepër i madh  sepse bëhet për një shpejtësi marramendëse të informatës, komunikimi po ashtu mes grupacioneve politike bëhet në mënyrë të perfeksionuar. Do të kisha thënë shumë informata më mirë merren përmes këtyre rrjeteve sociale, sesa mes tjerëve siç janë mediat si televizioni, gazetat e tjera. Çdo aktivitet i tyre shprehet në atë mënyrë, megjithatë unë prej përvojës sime kam hasur në probleme me vërtetësinë e informatave’’, u shpreh Bujar Hoxha, Komunikolog.

Komunikologu,Bashkim Bakiu thotë se përmes rrjeteve sociale targetohen grupe të ndryshme të audiencave, të cilat janë votues potencial në zgjedhje. Andaj sipas tij, kjo është mënyrë më efikase për tu promovuar.

“Me rritjen e teknologjisë mënyra e targetimit deri tek votuesi është e ndryshme dhe shpesh herë partitë politike apo strategët e gjejnë median për të targetuar një audiencë. Kemi fejsbukun, kemi portalet, kemi forma të ndryshme’’, tha Bashkim Bakiu, Komunikolog.

Sipas tij, përmes këtyre rrjeteve synohen edhe votuesit e papërcaktuar, të cilët janë shfrytëzues të rrjeteve sociale.  Komunikologët gjithashtu vlerësojnë se ndikimi i këtyre rrjeteve dita ditës po rritet dhe fushatat përmes tyre janë duke rezultuar të suksesshme. Propaganda më e madhe politike po bëhet në rrjetet facebook, twitter dhe instagram.(TV21)