Mes personave që i mbijetuan sulmit me armë në klubin e natës në Stamboll mbrëmjen e ndërrimit të viteve, ishte edhe një futbollist turk.
 
Sefa Boidash, i cili luan me ekipin Bejlerbej të Stambollit, rrëfen momentet e tmerrit në klubin “Reina”, ku humbën jetën 39 persona dhe u plagosën 69 të tjerë.

“Kishim vetëm dhjetë minuta që ishim futur. Teksa po zinim vend, te dera doli shumë tym e pluhur. Pastaj u dëgjuan të shtëna dhe vajzave po u binte të fikët. Njerëzit shkelnin mbi njëri-tjetrin për të shpëtuar”, u shpreh Boidash për mediat turke.

Më tej ai tha: “Nuk e pashë atë që qëlloi, por dëgjova krismat dhe njerëzit që bërtisnin teksa përpiqeshin të dilnin. Policia mësyu menjëherë. E dashura ime kishte veshur taka, prandaj e ngrita dhe e mbajta në kurriz”.