Duke pasur parasysh se gjenerata e ardhshme e smartfonëve do të vijë me 8 gigabajt RAM memorie, shumica kanë pritur që edhe smartfoni i ardhshëm i gjigantit Samsung do të ketë të njëjtin kapacitet të RAM-it.

Duhet theksuar se Samsung ishte prodhuesi i parë që ka lansuar paketën 8 GB LPDDR4 Mobile DRAM, e cila është ndërtuar duke përdorur procesin e prodhimit 10 nm.

Por duke pasur parasysh problemet me Note 7, Samsung nuk dëshiron të marrë ndonjë rrezik pavarësisht se shpreson shumë për Samsung Galaxy S8. Telefoni i ri do të ketë më shumë kapacitet të memories, por “vetëm” 6 gigabajt do të jetë në kombinim me memorien e brendshme prej 256 gigabajt.

Sipas raportimeve të mëparshme, Galaxy S8 pritet të vijë me një dizajnë të ri të shkëlqyeshëm, kamerë të përmirësuar, një skaner optik për gishtërinj i vendosur nën ekran, kamerë të dyfishtë tek modeli më i madh, ekran me presion të ndjeshëm i cili zëvendëson butonat jo-fizik dhe butonin “Home”, si dhe me një skaner për sy.