Tashmë kur vetëm disa muaj na ndajnë nga zgjedhjet lokale të vjeshtës, duket se partitë politike veç më kanë filluar mobilizimin e tyre.

Thuajse të gjitha partitë i kanë kapluar ethet dhe me të madhe janë duke bërë kalkulimet e fundit lidhur me atë se me cilin kandidat do të garojnë në zgjedhje.

Gara pritet të jetë tepër e ashpër në shumë komuna, sidomos në ato komuna ku për rival të mundshëm pritet të jenë kandidatët e njëjtë, që edhe u ballafaquan në zgjedhjet e kaluara lokale.

Nga kampi i BDI-së, tashmë edhe e konfirmuar, në komunën e Zhelinës në garë rikthehet Fatmir Izairi, i cili në zgjedhjet e kaluara pësoi debakël nga kryetari aktual i Komunës Blerim Sejdiu dhe sipas njohësve të rrethanave politike në këtë komunë shanset për një fitore janë të pamundshme, për vete faktin se ai tashmë është një figurë e harxhuar politike dhe ky është ballafaqimi i katërt elektoral I tij.
Edhe pse nga Lëvizja Besa, akoma nuk janë deklaruar se cili do të jetë kandidati i tyre, po sipas gjitha gjasave, pritet që ti jepet mbështetja edhe për një mandat Blerim Sejdiut.

Nga Aleanca për Shqiptarët, akoma nuk kanë një kandidaturë zyrtare, por megjithatë nga burime të besueshme brenda kësaj partie mësojmë se janë dy opsione në lojë ku njëri opsion është kandidatura e deputetes më të zëshme të Kuvendit, Ilire Dauti si dhe kandidatura e një afaristi shumë të suksesshëm, të ngritur intelektualisht dhe me shumë autoritet në Zhelinë, që nëse do të siguronte mbështetjen e partisë, sigurisht se do të ishte befasia e këtyre zgjedhjeve në komunën e Zhelinës dhe me gjasa reale për të fituar këtë komunë, per më tepër kur kemi parasysh edhe rezultatin tejet pozitiv që kjo parti kishte në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut .
Garës për të parin e komunës, flitet se ti shtohet edhe një kandidaturë e pavarur.
Qenan Aliu-analist politik që graviton nga kjo komunë, është duke menduar seriozisht ti futet garës për të parin e Komunës. Përndryshe ai kohë më parë ka ushtruar këtë funksion gjatë mandatit 2005-2009. Nga burime të besueshme mësojmë se ai tashmë është duke kontaktuar shumë personalitete dhe me sa duket është duke hartuar edhe një listë të pavarur qytetare për këshilltarë. Në interesimin tonë për vërtetësinë e këtij informacioni, vetë z. Qenan Aliu nuk e mohoi nismën e tij por shkurt the se është duke bërë kalkulimet e fundit dhe se do të prononcohet ditëve në vijim.
Duhet theksuar se edhe PDSH-ja e Menduh Thaçit, tashmë ka zyrtarizuar kandidaturën e Medin Nazifit, por megjithatë, mbështetja ndaj kësaj partie është në nivelin më të ulët që nga themelimi i kësaj partie.
Si do që të jetë gara në këtë komunë do të jetë tepër interesante, por megjithatë rivaliteti kryesor do të jetë ndërmjet Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët, të cilët sigurisht se fituesin do ta kërkojnë në rrethin e dytë./fol.mk