Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama se ‘po tenton të fshehë krizën e thellë politike të Shqipërisë prapa idesë për Jugosllavi të re’.

“Ky farë kryeministri që dëshiron Jugosllavinë e re, çka po i duhet? Ndoshta legjitimitet pas krizës së thellë politike në vend!!”, shkruan Gashi në Facebook.

Kundër Samitit të Ohrit kanë dalë edhe presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Isa Mustafa.

Pas përfundimit të konferencës së mbajtur mes kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit Edi Rama, ky i fundit iu bashkua një bashkëbisedimi me gazetarët.

Rama u ndal gjerësisht te raportet Shqipëri-Kosovë dhe qëndrimet e tyre përkatëse lidhur me mini-Shëngenin.

“Mendoj dhe punoj për interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës, të heqim kufirin. Jemi dy shtete të vogla, duhet të bëjmë gjëra me dialog dhe me zgjuarsi Ne duhet të shohim interesin tonë si shqiptarë. Duke u mbyllur dhe duke mos çuar përpara bashkëpunimin rajonal ne humbasim shumë. Kosova është e ftuar, të gjithë shtetet janë të ftuara. Kosova më parë është ulur në tryeza. Në bashkëpunimin tim me Kosovën nuk ka ngërç, për mua të paktën nuk ka”, tha Rama.

Ai ka thënë se s’ka punuar dhe as s’ka lidhje me Jugosllavinë, duke iu referuar kundërshtimit të Isa Mustafës për mini-Schengenin ballkanik.

“Të flasësh për një proces që rikrijon Jugosllavinë, të ma thuash mua që as kam punuar në administratën e Jugosllavisë dhe as kam lidhje me Jugosllavinë, veç kujtimit të keq të keqtrajtimit të shqiptarëve, më duket e tepërt dhe jo fort elegante”, tha Rama pas Samitit të Ohrit.