Deputeti i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi tha se sot është dashur të jetë një festë për qytetarët, por nuk doli ashtu siç pritej.

“Në thelb nuk e di se përse u deshën të kalojnë 26 vite, dhe sot askush të mos ketë dyshim se pa shqiptarët shteti nuk mund të funksionoj. Problemi kryesor është qasja e maqedonasve ndaj shqiptarëve për ti pasur ata nën kontroll dhe t’i sunduar ata. Elitat maqedonase në vend që të merren me zgjidhjen e çështjes shqiptare, ata kanë vazhduar të kërkojnë mekanizma se si të krijojnë elita politik shqiptare, të cilët nuk do të udhëheqin betejën për interesat e shqiptarëve. Sipas asaj që kemi konstatuar, elitat politike maqedonase kanë gjetur ilaçin për shqiptarët, Ata ose kanë gjetur shqiptarë të kriminalizuar ose kanë gjetur mënyrë se si ti inkriminojnë dhe t’i korruptojnë dhe ata të bëhen zëri i heshtur i shqiptarëve”, deklaroi Afrim Gashi, raporton SHENJA.

Sipas tij kjo metodë e elitave maqedonase dhe ky koncept është treguar i dëmshëm si për shqiptarët ashtu edhe për maqedonasit.

“Kështu ka menduar Nikoll Gruevski i cili mendonte se nëpërmjet Ali Ahmetit kontrollon shqiptarët, ndërsa ka bërë që ai të urrehet. Kur shqiptarët e panë se Zoran Zaev po paraqitet si politikanët tjetër, panë shpresë se koncepti i VMRO-së ka mbaruar. Por sot, megjithatë, të gjendur përballur këtij kabineti nuk ka dilema se koncepti i tij do të jetë i njëjtë. Për fat të keq, elitat politike maqedonase nuk dëshirojnë të jenë me shqiptarët, por me BDI-në. Por një BDI e korruptuar nuk do t’i përfaqësoj shqiptarët dhe as maqedonasit. Kjo do të jetë e dëmshme për të gjithë qytetarët”, tha Gashi.

Ai tha se BESA do të përkrah çdo reformë që do të jetë në të mirë të shqiptarëve dhe qytetarëve të vendit në përgjithësi.

“Shqiptarët kanë të drejtë të përfaqësohen siç duan. Nuk kanë nevojë që ndokush tua prodhoj përfaqësuesit. Filmi bardhe e zi ka mbaruar kur BESA doli në skenë. Nuk ekziston kjo punë, ne jemi këtu për të artikuluar interesin e shqiptarëve edhe për t’i bërë të barabartë. BESA ka ardhur në skenë për të ndërtuar sistemin e vlerave pozitive dhe jemi munduar që këtë ta tregojmë në jetën tonë politike”, tha Gashi, raporton SHENJA.

Ai shtoi se ata nuk mund të votojmë për një përbërje, me respektin e plotë për disa emra.

“Por ka emra që janë të pasuksesshëm dhe destruktiv për shqiptarët dhe vendin. Çdo reformë pozitive do të ketë përkrahjen e BESËS. Për ne krimi dhe korrupsioni nuk njeh emër dhe komb”, tha në fund deputeti Gashi.