Një ditë pasi kryeministri Edi Rama kërcënoi se do të hedhë në gjyq në Gjermani, gazetarin e Bild, Peter Tiede, pasi ky i fundit po tregon me fakte sesi Partia Socialiste ka blerë votat në vitin 2017, reagojnë edhe organizatat botërore.

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, e cila e ka qendrën në Laipzig të Gjermanisë njofton se ndodhet në Tiranë duke e lidhur vizitën e tyre pikërisht me kërcënimet e Ramës.

“Ditën kur kryeministri Edi Rama kërcënoi të padisë një gazetar gjerman për botimin e përgjimeve, një delegacioni ndërkombëtar i mediave mbërriti në Tirana”, thuhet në një twitter të organizatës ndërkombëtare.

Ndërsa edhe gazetari Tiede reagon për këtë vizitë.

Ai bën ironi duke thënë se teksa Rama njofton padinë në Tiranë vijnë organizata për të monitoruar lirinë e medias.

“Koincidencat ekzistojnë…

Kryeministri i Shqipërisë njoftoi një padi kundër meje, ditën kur një delegacion arrin në Tiranë, i cili do vëzhgojë lirinë e shtypit …”, shkruan Tiede.

Kujtojmë që dje gazeta Bild dhe gazetari Peter Tiede, publikoi 16 përgjime të reja për blerjen e votave nga socialistët.

Mes këtyre përgjimeve del edhe kryeministri Edi Rama, i cili pyet nëse janë përmbushur pritshmëritë./Express/