Niveli i gazetarisë në Maqedoni ka rënë dhe kjo po ndodh për shkak të kushteve jo të mira në të cilat punojnë gazetarët. Mënyra e financimit të mediave ka ndryshuar viteve të fundit ndërsa qeveria përmes fushatave të ndryshme reklamuese kanë ndarë miliona euro duke i futur nën kontrollë pjesën më të mediave. Këta janë disa nga konkluzionet që dolën nga tribuna në të cilën u diskutua për integritetin e mediave dhe financimin e tyre.

“Nëse nuk i siguroni gazetarit rrogë të mirë, nëse nuk i siguroni kushte të mira për punë, nëse nuk i paguani mëditje kur del jashtë, nëse nuk i paguani sigurim nuk mund të flisni për gazetari të pavarur”, tha Goran Mihajllovski, gazetar.

“Mbetet në vullnetin politik që të kemi gazetari të lirë dhe të pavarur. Kështu që në një mënyrë sistematike qeveria e ka ndikuar në dobësimin e mediave duke imponuar disa standare që nuk janë për tu lavdëruar”, u shpreh Mlladen Çadikovski, gazetar.

Sipas gazetarëve, kapja e shumicë mediave nga ana e qeverisë përbën problem të madh i cili vështirë do të mund të zgjidhet.

“Sistemi i mediave në Maqedoni është i robëruar dhe i korruptuar. Disa pronar të mediave dhe disa gazetarë të caktuar të cilët ndodhen në pozitat larta në media mbajnë lidhje të forta me qeverinë dhe financohen nga buxheti shtetëror”, tha Biljana Petkovska, MIM .

Këtë vit, organizatat ndërkombëtare që merren me lirinë e shprehjes e kanë renditur Maqedoninë në mesin e vendeve jo të lira.

Senat Zilbehari