Dëshirojmë fillimin sa më të shpejtë të negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe inkurajojmë të gjitha përpjekjet për arritjen e këtij qëllimi, tha sot në Shkup ambasadori dhe shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend David Geer, transmeton Portalb.mk.

Euroambasadori Geer në një prononcim për media para hapjes së panelit në kuadër të shënimit të 9 Majit – Ditës së Evropës tha se nuk dëshiron të hyjë në debat me afate, por tha se duhet bërë përpjekje maksimale për të arritur qëllimin për hapjen sa më të shpejtë të negociatave.

“Ne jemi absolutisht të vendosur për të ecur përpara, e dimë se është në interesin strategjik të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që këto vende të anëtarësohen në Union dhe presim që procesi të vazhdojë dhe ta shohim Maqedoninë e Veriut në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Geer.