Në të ardhmen të huajt në Gjermani do të mund të marrin nënshtetësinë pas pesë vjetësh, në raste integrimi të shkëlqyer edhe pas tre vjetësh. Kriter përjashtues do të ishte antisemitizmi.

Të huajt që jetojnë prej vitesh në Gjermani do të mund të marrin më shpejt pasaportën gjermane. Deri më tani ata duhet të prisnin tetë vjet për të marrë pasaportën, në të ardhmen do të mjaftojnë pesë. Në një projektligj të koalicionit gjerman, thuhet, se dhënia më e shpejtë e nënshtetësisëdo të ishte “një stimul për t’u integruar më shpejt”, sipas ZDF. Sipas ministres së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser (SPD) është i mundur edhe një integrim më i shpejtë. Kush ka arritje të veçanta në integrim mund të marrë edhe pas tre vjetësh nënshtetësinë gjermane. Kjo vlen për ata që flasin shumë mirë gjuhën gjermane, arrijnë në punë rezultate të shkëlqyera apo angazhohen në punë vullnetare.

E mundur nënshtetësia e dyfishtë

Kreu i Këshillit Qendror të Hebrenjve në Gjermani, Josef Schuster e mbështeti këtë rregullore. “E përshëndes shprehimisht”, tha ai. Një veprim antisemitist e ka penguar edhe më parë marrjen e nënshtetësisë, por që tani futet qartësisht në rregullore është një shenjë e mirë. E Majta kritikon, që me këtë presupozohet sikur antisemitizmi është i importuar. Atë e gjen thellë edhe në Gjermani, ka thënë një zëdhënës i Të Majtës.

FDP kishte kërkuar një ashpërsim të rregullave. Sipas Stephan Thomae duhet të pengohen nënshtetësitë që “çimentojnë marrjen e asistencave sociale”. Liberalët kërkojnë që të “marrin nënshtetësi ata persona që mund të sigurojnë vetë jetesën për veten dhe familjen e tyre.” Rregulloret parashikojnë përjashtime për punëtorët e ftuar, “Gastarbeiter” dhe raste të veçanta vështirësie. Reforma e nënshtetësisë ka qenë e parashikuar në marrëveshjen e koalicionit. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme me ujdinë e arritur në qeveri fillojnë miratimet në landet gjermane./DW/