Ballina Lajme Bota Gjermani, evakuohen banorët e Ausburgut, pritet çaktivizimi i bombës 1.8 tonë

Gjermani, evakuohen banorët e Ausburgut, pritet çaktivizimi i bombës 1.8 tonë

Një bombë 1.8 tonë e cila ishte hedhur në qytetin gjerman të Ausburgut që prej Luftës së Dytë Botërore, ka bërë që 50.000 banorë të evakuohen, me qëllim që ekspertët të nisin punën për çaktivizimin e saj. Bomba nuk ishte zbuluar prej më shumë se gjysmë shekulli, ndërkohë që u zbulua rastësisht në një kantier ndërtimi nga disa punonjës. Ende nuk dihen se sa mund të zgjasë procesi, teksa bëhet me dije se qytetarët janë dërguar në qëndra të përkohshme strehimi.

50 mijë banorë të qytetit Gjerman të Ausburgut janë evakuar me qëllim që të nisë procesi i çaktivizimit të një bombe gjigande e cila është hedhur që prej vitit 1944 nga forcat ajrore britanike, transmeton Ora News.
Në bazë të asaj që kanë komunikuar zyrtarët gjermanë, bomba britanike peshon rreth 1.8 ton dhe përbënte rrezik për qytetarët vendas, në rast se këta nuk do të zhvendoseshin përkohësisht.

Eksplozivi kishte qëndruar i fshehur deri sa u zbulua në mënyrë rastësore në një kantier ndërtimi nga punonjësit.
Lajmi i cili u shpërnda menjëherë në media dhe në rrjetet sociale përcolli fillimisht panik në rradhët e banorëve, megjithatë qeveria njoftoi nisjen e punës për neutralizimin e lëndës shpërthyese, duke u bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe t’u binden udhëzimeve të autoriteteve.

Në bazë të komunikatës, afro 50.000 banorë janë dërguar në qëndra të përkohshme strehimi. Gjithashtu, mes tyre përllogariten edhe shumë qytetarë që kanë preferuar të qëndrojnë tek të afërmit e tyre jashtë qytetit.
Aktualisht, ekspertët e çaktivizimit të bombave kanë mbërritur në zonën ku ndodhet bomba e mbetur aty që prej Luftës së Dytë Botërore, teksa po hartojnë edhe strategjinë më të mirë për të bërë të mundur neutralizimin e lëndëve që kanë rrezik të shpërthejnë.

Ende nuk ka një komunikatë në lidhje me kohën se kur mund të përfundojë ky proces, ndërkohë që pritet një tjetër lajmërim nga ana e organeve kompetente.

Autoritetet thanë se zgjodhën këtë periudhë pushimesh për të kryer evakuimin, pasi në një kohë tjetër evakuimi mund të kishte qenë edhe i pamundur.