DPA: Lehtësohet edhe procedura për shtetësinë gjermane

Për shkak të nevojës urgjente, Gjermania planifikon të marrë 50.000 punëtorë nga Ballkani Perëndimor. Autoritetet gjermane po shqyrtojnë opsionin që ta dyfishojnë kuotën e kuadrit të pakualifikuar nga vendi ynë por edhe Serbia, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, për të plotësuar vendet e zbrazëta të punës. Kështu thuhet në propozimligjin, në të cilin ka pasur qasje agjencia gjermane e lajmeve – DPA.

Sipas dokumentit, lehtësohet edhe procedura për marrjen e shtetësisë gjermane. Kjo do të thotë se të huajt nuk duhet të heqin dorë nga pasaporta e vendit amë. Gjithashtu, emigrantët, për të marrë shtetësinë do të mund të aplikojnë edhe pas pesë viteve qëndrim, në vend të tetë viteve, sikurse është aktualisht. Periudha prej pesë viteve do të ketë opsione që të shkurtohet edhe më tej, nëse aplikuesi tregon rezultate të mira në shkollë apo në punë.

Ndryshimet përfshijnë edhe të ashtuquajturën “Karta e shansit”, pra mundësinë që njerëzit të vijnë në Gjermani dhe këtu të kërkojnë një vend pune. Gjatë kësaj kohe ata do të kishin të drejtën të bëjnë ndonjë punë tjetër me një orar të përgjysmuar pune, në ndonjë vend pune jashtë profesionit të tyre për të siguruar jetesën sa janë në Gjermani për të kërkuar punë.

Sipas vlerësimeve, Gjermanisë i mungojnë 400.000 punëtorë në vit që të funksionojë ekonomia, shëndetësia dhe përkujdesi ndaj të moshuarve.