Në Komunën e Gjilanit 52 mësimdhënës janë infektuar me COVID-19, mirëpo situata me shkollat në këtë komunë është e menaxhueshme sipas kryetarit të komunës, Lutfi Haziri.

Deri tani asnjë shkollë publike nuk është mbyllur, ndërsa Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 ka mbyllur dy shkolla private pasi janë konsideruar si burim infeksioni.

Haziri siguroi se të gjithë mësimdhënësit janë në vetizolim dhe po monitorohen nga institucionet lokale shëndetësore.

“Numri total i tyre është 52 në komunën e Gjilanit, por është e menaxhueshme. Këta janë në vetizolim dhe në monitorim 24 orë nga ana e institucioneve shëndetësore të komunës së Gjilanit, po qëndrojnë në shtëpi të tyre, dhe nuk ka vendim për mbyllje kolektive të as një shkolle. Dy shkolla private me rekomandim, menaxhmenti i komitetit në Gjilan i ka mbyllë sepse ato kanë qenë, në rastin e parë ka qenë burim i infeksionit dhe edhe shkollat publike janë infektuar nga ky rast”, ka thënë Haziri.

Megjithatë, pesë klasë janë mbyllur përkohësisht dhe kanë kaluar në Skenarin C të mësimit që është ai online.

Haziri thotë se shkollat publike nuk janë burim infeksioni dhe se arsimtarët që kanë rezultuar pozitivë janë prekur nga virusi SARS-COV-2 jashtë ambienteve shkollore.

“As një shkollë publike nuk është mbyllur, pesë klasë ne i kemi mësim online, sipas opsionit C që e quajmë në strategjinë dhe planin për zbatim të korrikules këtë vit në kushte pandemie, këto pesë klasë janë të një shkolle fillore në komunën e Gjilanit. Nuk kemi burim të infeksionit brenda shkollës, burimi i infeksionit ka ardhur prej jashtë shkollës. Në dy rastet e para që i kemi zbuluar ka qenë arsimtar që kanë qenë të infektuar nga jashtë dhe që fatkeqësisht mandej ka rezultuar edhe më bartje të infeksionit në disa raste, më e shumta tek arsimtaret se sa tek nxënësit”, ka thënë Haziri për kp.

Ndryshe, Gjilani është komuna e dytë pas Prishtinës sa i përket numrit të rasteve me COVID-19 me 1331 të infektuar gjithsej. Prej tyre, janë shëruar 1054 qytetarë ndërsa 40 prej tyre e kanë humbur betejën me këtë sëmundje. Aktualisht, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në këtë komunë janë 237 raste aktive.