Drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq ka thënë se deklaratat e SHBA-së dhe NATO-s kundër Ushtrisë së Kosovës janë një sukses i madh diplomatik i Serbisë.

Sipas tij, të gjithë serbët duhet të luftojnë kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës e cila paraqet një kërcënim në sigurinë, paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Padyshim ky është një sukses i madh diplomatik i Serbisë dhe kjo nuk ka rënë nga qielli, është produkt i një pune të plotë. Ne kemi shpjeguar qëndrimet tona dhe kemi marrë mbështetjen e shteteve të cilat na mbështesin gjithmonë, të tilla si Kina dhe Rusia, por tani e mira është se po na përkrah edhe NATO”, ka thënë Gjuriq.