Gjykata e Apelit: Koçan është në arrati, kërkohet me fletarrest ndërkombëtar

Për më shumë se një javë biznesmeni Sead Koçan është i pakapshëm për organet e rendit, ndërsa derisa ai vetë nuk paraqitet te autoritetet e Maqedonisë, do të ndiqet me fletarrest ndërkombëtar edhe pse avokati i tij pohon se Koçan është në udhëtim zyrtar.

Sot Gjykata e Apelit publikoi vendimin e plotë me të cilin e konfirmoi paraburgimin për Koçan-in dhe kërkon ekstradimin e tij në Maqedoni.

“Sipas arsyeve të parashtruara del se i dyshuari Sead Koçan është në arrati dhe është i pakapshëm për organet e ndjekjes dhe deri në këtë moment nuk dihet se ku gjendet”, shkruan në vendimin e Apelit.

Koçan më 9 mars e ka kaluar kufirin me veturë, ditën kur Gjykata Penale i caktoi masën e paraburgimit pasi e pranoi ankesën e PSP-së.

“Personi Sead Koçan për herë të fundit në sistemin e kontrollit të udhëtarëve dhe automjeteve, është evidentuar më 09.03.2017 në dalje prej Republikës së Maqedonisë”, shkruan në vendim.

Edhe pse për të dyshuarin Koçan është lëshuar fletarrest ndërkombëtar, megjithatë emri i tij nuk figuron as në faqen zyrtare të MPB-së e as në faqen zyrtare të Interpol-it.

Në rastin e PSP-së “Trust” të dyshuar janë: Sead Koçan, Vasilije Aviroviq dhe Safet Vatiq, të cilët në vitin 2012 pronarë dhe menaxherë të kompanive, “Transmet”, “Sileks” dhe “Vato”, të cilët me dokumente të falsifikuara kanë fituar tender nga ELEM në vlerë prej 17 milionë eurove.  /SHENJA/