Ish-ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska duhet të shkojë në burg për shkak se Gjykata e lartë e vërtetoi vendimin e Gjykatës së Apelit për rastin ‘Tanku’. Jankullovska, sipas vendimit gjyqësor duhet të vuajë dënim me burg për 4 vite.

“Gjykata e Lartë e Republikës së Maqedonisë së Veriut e informon opinionin se më 17 shtator 2020, vendosi për lëndët KVPKOK2KVP nr. 6/19 dhe KVPKOK2KVP nr. 7/19, të cilat u parashtruan nga të dënuarit Nikolla Gruevski, Gjoko Popovski dhe Gordana Jankullovska”, njoftojnë nga Gjykata e Lartë.

Me vendimet e miratuara, Gjykata e Lartë refuzoi ankesat e të dënuarve dhe i vërtetoi vendimet gjyqësore të Gjykatës së Apelit në Shkup.

Për të njëjtin rast, Gjykata e Apelit, ndihmësit të MPB-së, Gjoko Popovskit, i cili kishte dënim prej 6 vite e gjysmë, ia uli dënim në 4 vite, ndërsa Nikolla Gruevski dënohet me 2 vite burg.