Gjykata Penale ende punon në 18 kërkesat për paraburgim për rastet e PSP-së. U.d kryetar i Gjykatës Themelore Shkup 1, Stojançe Ribarev për Alsat M sot pasdite shkurtimisht tha se asnjë vendim deri më tani nuk është shkruar dhe nënshkruar nga gjykatësit që vendosin nëse do të ketë paraburgim për ndonjërin prej të akuzuarve. Në Gjykatë është vendosur kujdestari, kurse gjykatësit kanë marrë instruksione që ta përshpejtojnë procesin. Në opinion tashmë qarkullojnë informacione jozyrtare se disa personave u është shqiptuar masa e paraburgimit, por Ribaervi nuk e konfirmoi këtë lajm. Ekspertët e drejtësisë janë të ndarë rreth procedurës së ankimimit. Disa konsiderojnë se nëse Gjykata Penale vendos dikë të dërgojë në paraburgim, vendimi do të jetë i plotfuqishëm pasi të përfundojë periudha për ankimim para Gjykatës së Apelit, e cila ka tri ditë për të vendosur. Të tjerët, nga ana tjetër, dalin me qëndrim se ankimimi nuk e prolongon veprimin dhe kur dikujt do t’i shqiptohet paraburgim, ai duhet të dërgohet menjëherë në burgun e Shutkës. Dhe derisa Gjykata penale vendos nëse do të ketë paraburgim për rastet e Janevës, mbështetësit e VMRO-DPMNE-së sot sërish njëjtë sikur mbrëmë disa orë protestuan dhe e bllokuan rrugën para gjykatës. Mes tyre kishte njerëz të cilët ende janë në procedurë gjyqësore për shuplakat e porositura në komunën Qendër.

“Nëse ka kriminalitet në këto lëndë, le t’i marrin të gjitha lëndët dhe le ta nxjerrin në shesh gjithë kriminalitetin, edhe atë që ka bërë LSDM-ja”.

“Jemi mbledhur këtu në bazë partiake, jemi nga VMRO-ja. Ky është uzurpim. Jo i tokës, por i popullit”.

Katica Janeva një ditë pasi i ngriti aktakuzat, porositi se drejtësia dëshmohet në gjykatë.

Unë pres që gjykata ta bëjë punën e vet në mënyrë profesionale, në mënyrë të paanshme dhe në pajtim me ligjin, ndërsa ne si Prokurori Speciale do t’i shfrytëzojmë të gjitha instrumentet ligjore, të hyjmë në gjykatë dhe t’i ballafaqojmë argumentet dhe dëshmitë tona me të akuzuarit – tha Katica Janeva, prokurore speciale.
Prokuroria speciale kërkon paraburgim edhe për kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Paraburgim kërkohet edhe për ish drejtorin e Drejtorisë së sigurimit dhe kundërzbulimit, Sasho Mijallkov, por edhe për funksionarët e lartë partiak të BDI-së, Ismet Guri dhe Ejup Alimi.

Bojan Stojanovski