Ushtrues detyre (u.d.) e kryetarit të Gjykatës Penale të Shkupit do të jetë gjykatësja Tatjana Mihajllova, përderisa u.d. e funksionit në Gjykatën Supreme do të jetë gjykatësja Snezhana Bajllozova.

Kështu sot në seancë ka vendosur Këshilli Gjyqësor, i cili me shumicë votash i zgjodhi dy gjykatësit për ato funksione.

Përndryshe, Tatjana Mihajllova është gjykatësja e cila duhet ta gjykojë ish kryeministrin dhe kryetarin aktual të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe ish ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, të cilët janë të dyshuarit e parë për rastin e dhunës përpara Komunës Qendër në korrik të vitit 2013.

Ky është njëri nga dy rastet që PSP ngriti akuzë në shtator të këtij viti.

Mihajllova, gjithashtu, ishte edhe gjykatëse hetuese e rastit “Likuidimi”, në të cilin me 4.5 vjet burg u gjykua gazetari Tomisllav Kezharovski, ndërkaq pas reagimeve të shumta nga opinioni, dënimi iu zvogëlua në 2 vite.

Gjykatësja e Gjykatës Supreme, Snezhana Bajllozova, gjatë dhjetë  viteve të fundit disa herë ishe në fokusin e opinionit, veçmas me aktvendimin për lirim të Agim Krasniqit përpara 10 viteve, si dhe me dënimet e ulëta për përfaqësuesit e policëve të njësitit special që e demoluan diskotekën “Proces” në vitin 2006.

Bajllozova ishte edhe njëra nga kandidatët për kryetar të Gjykatës Supreme bashkë me Lidija Nedellkova, të cilës dje i kaloi mandati, ish kryetarin e Gjykatës Supreme, Jove Vangellovski dhe gjykatëses Besa Ademi.

Dy gjykatëset në seancën e sotme ishin të propozuara nga kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski. Ai theksoi se Mihajllova dhe Bajllozova kanë vlerësime më të larta në Gjykatën Penale, gjegjësisht në Gjykatën Supreme, ku kanë punuar. Anëtarët e Këshillit Gjyqësor, njëzëri me 13 vota “për” nga 13 anëtarë të cilët kanë votuar, e zgjodhën Bajllozovën, përderisa për zgjedhjen e Mihajllovës votuan 9 anëtarë të Këshillit Gjyqësor, ndërkaq 4 ishin kundër.