Gjykimi kundër 30 vjeçarit nga Kumanova, Boban Iliq, i cili është i dyshuar për vrasjen e katërvjeçarit Almir Aliu, që ka ndodhur më 25 qershor të vitit të kaluar do të fillojë jetën tjetër, më  15 shkurt në Gjykatën Themelore – Kumanovë.

I dyshuari mund të dënohet me burg të përjetshëm, pasi që sipas aktakuzës, vrasjen e ka kryer me paramendim. Saktësisht, ai ngarkohet për veprën penale “vrasje”, sipas Kodit Penal neni 123, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 3, i cili thotë: “Personi që me paramendim do të privojë nga jeta ndonjë person, ndërkaq më pas do të rrezikojë edhe jetën e ndonjë personi tjetër, do të dënohet me më së paku 10 vite burg ose me burg të përjetshëm”.

Përveç vrasjes së Almirit, i paraburgosuri Iliq është i dyshuar edhe për tentim vrasje të prindërve të fëmijës.

Sipas aktakuzës, përpara vrasjes ka pasur një zënkë mes Iliqit, i cili ka qenë bashkë me të dashurën në Shtëpinë e Shëndetit – Kumanovë, dhe babait të Almirit, për shkak të mosrespektimit të radhës për pranim në ambulancë.

Prokuroria Themelore e Kumanovës ka dorëzuar aktakuzën për vrasjen e Almir Aliut më 25 qershor të këtij viti.

Përndryshe, Almir Aliu nga Kumanova humbi jetën si pasojë e goditjes me veturë që mori mbrëmjen e 25 qershorit. Edhe në videon që përbën provë materiale për rastin, vërehet se i dyshuari Boban Iliq e ka kryer aktin në prani të prindërve të Almirit.

Për ngjarjen pati reagime të mëdha, për të cilën u organizuat edhe protesta./portalb.mk