Të mërkurën në ndeshjen e Ligës së Tretë Futbollistike të Maqedonisë, Perëndim, ndërmjet Besës nga Çellopeku dhe Flamurtarit nga Debreshi, futbollisti i vendasve, Behar Nuredini shënoi një gol “ala braziliançe”, që do e kishin zili edhe futbollistë nga Liga e Parë e Maqedonisë.

Ai shënoi një gol me gërshërë, stil ky të cilin e aplikojnë më së shumti futbollistët brazilian, ndërsa të mërkurën vendosi ta provoj edhe vetë futbollisti tetovar, Behar Nuredini.

Ky i fundit pasi kaloi disa futbollistë kundërshtarë në fund vendosi që të vë edhe qershinë mbi tortë të aksionit individual me një super gol që ngriti peshë gjithë të pranishmit në stadium.

Në këtë ndeshje skuadra e tij, Besa shënoi fitore 6:3, duke shtuar shpresat për një mbijetesë në Ligën e Tretë Perëndim.

Aktualisht skuadra nga Çellopeku renditet në pozitën e parafundit me 16 pikë, po aq sa ka edhe Kamjani në pozitën e 12-të, pozitë kjo që siguron mbijetesën. Pikërisht ndaj këtyre të fundit Besa do të luaj në ndeshjen e javës së fundit, javës së 26-të, derisa javën që vjen kjo skuadër do të jetë mysafir i Zajazit në Kërçovë.