Arben Taravari

Në fakt unë Zgjedhjet në tërësi, por sidomos ato Lokale i shoh si çështje vizioni i të ardhmes, dhe çdo gjë që i përket të ardhmes duhet të jetë progresive, ndaj dua të përqëndrohem në pse duhet të zgjedhin Ekipin tonë, dhe jo pse nuk duhet të zgjedhin këdo tjetër.
Në momentin që ju përgjigjem juve kam fatin të them se Programi ynë elektoral sapo është bërë gati dhe kjo është një nga arsyet që më jep më shumë siguri pse duhet që gostivarasit të votojnë në 15 tetor për ne.
Ndryshimi është pjesë natyrale e jetës, dhe ndryshimi ka dhe kohën e tij, e cila ka ardhur për qytetin tonë.
Unë i vetëm nuk mund të bëj shumë, por ashtu si kam bashkuar forcat me anëtarët e ekipit tim dhe kemi ndarë vizionet tona, ashtu edhe më shumë do të mund të funksionojmë nëse i përvishemi të gjithë punës për rindërtimin e qytetit tonë.
Gostivari ka njerëz të mrekullueshëm, të aftë, të cilët kanë gjithë energjinë e nevojshme për të punuar dhe zhvilluar jetën e qytetit të tyre. Një koncept i ri që është shumë i rëndësishëm në programin tonë është POLITIKA E QYTETARËVE, që nënkupton që do të jenë qytetarët që do të jenë pjesë e vendimeve. Vendimet për një qytet nuk kanë pse merren në zyra partie, ato do të merren nga Komuna e Gostivarit dhe Qytetarët e saj.
Thithja e investitorëve të huaj, nxitja e ekonomisë, e agrikulturës, e biznesit në tërësi do të jetë një Strategji që do krijojë vende pune dhe të rinjtë do duan të rrinë në qytetin tonë, e të mos marrin rrugët e mërgimit.
Ne jemi bijtë e Gostivarit dhe për ne Gostivari duhet dhe është I PARI!
Jam i sigurtë që 15 tetori do të jetë një ditë triumfi për qytetin tonë, Gostivari do nisë punën për ndryshim atë ditë!
Miqësisht,
Arbeni