Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, deputetja Blerta Deliu – Kodra, nuk është shprehur e gatshme të reagojë për rastin e  Fatmire Bujupit, të cilës disa prindër të fshatit Drenoc të Malishevës nuk e donin në orë mësimi për shkak të shamisë.

Mësohet se deputetja Deliu-Kodra kishte marrë kërkesë për të reaguar rreth këtij rasti, mirëpo ajo nuk ka shprehur gatishmëri ta bëj një gjë të tillë. Megjithëse “Indeksonline” ka provuar disa herë të kontaktojë me kryetaren e GGD-së, mirëpo e njëjta nuk i është përgjigjur thirrjeve tona telefonike.

Nga ana tjetër, e vetmja prej deputeteve të Kuvendit që i ka dal në mbrotje Bujupit ishte deputetja me shami, Labinotë Demi-Murtezi.

Ajo deklaroi se mësuesja në fjalë punën e ka fituar me konkurrencë të denjë. Sipas saj, qytetarët e Kosovës duhet të kërkojnë mbikëqyrje dhe monitorim të procesit të mësimdhënies për ngritje të cilësisë, e jo të merren me dukjen e mësueses.

“Personalisht e njoh Fatmirën, ata nxënës janë me fat që do të marrin mësimet nga ajo. Kështu nuk vlerësohet kualiteti. Fëmijët kishin mësuar përmendesh fjalë e shprehje që nuk ishin të moshës së tyre, ndërkaq prindërit akuzonin e qanin pa të drejtë. Le t’i japin një afat kohor të dëshmohet në praktikë, pastaj vet do ta kërkojnë”, është shprehur ajo.

Vlen të theksohet se ishte edhe KMLDNJ-ja e cila dënoi ashpër sulmin ndaj mësueses nga Malisheva. Kjo organizatë ka këruar që mos t’i bëhet presion asaj dhe e njëjta t’i vazhdojë ligjëratat në atë shkollë fillore.