Panik dhe frikë ka shkaktuar veprimi i një të afërmi të një personi që konsiderohet i vrarë disa vite më parë në Greqi, kur para ndërtesës së gjykatës, ku u zhvillua një prej seancave të kësaj çështjeje, ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar 4 herë në ajër para kamerave të stacioneve televizive.

Më pas ka përqafuar të ëmën e viktimës dhe është larguar, por disa metra larg gjykatës është arrestuar nga policët grekë, bashkë me një person që e shoqëronte.

Shkaku i këtij veprimi ekstrem, – ka shpjeguar ai para policisë, – është fakti se trupi i kushëririt të tij të vrarë para 5 vitesh, ende nuk po gjendet, ndërsa drejtësia nuk po e zbardh aspak çështjen dhe gjyqi është shtyrë përsëri për të tretën herë.

Para se të qëllonte me armë, ai ka deklaruar:

“Maskarenjtë nuk po gjejnë ende trupin, por Zoti mendon ndryshe”, ka thënë ai.

Mario Papagjeorgjiu, një i ri 26-vjeçar, është zhdukur më 9 gusht të vitit 2012 dhe një ditë më pas, persona të panjohur kanë kërkuar nga familja e tij 620 mijë euro si shkëmbim për jetën e tij.

Për disa ditë, nëna e tij nuk ka lajmëruar policinë, ndërsa dëgjonte këshillat e një 73-vjeçari, mik i familjes, që dukej sikur negocionte me rrëmbyesit.

Pasi çështja bëhet e njohur në polici, ky person është arrestuar dhe dënuar si i dyshuari kryesor për këtë rrëmbim, bashkë me 5 persona të tjerë.

Por trupi i të riut nuk u gjet kurrë, ndërsa edhe gjyqi që po vazhdon për kaq vite po shkakton më shumë dhimbje te familjarët.