25 prilli pritet të jetë data e takimit të ardhshëm në Vjenë mes dy shefave të diplomacisë Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kocias me ndërmjetësin Metju Nimic, për emrin. Data nuk është konfirmuar akoma, por ky takim do t’i paraprijë atij tashmë të konfirmuar me 3 dhe 4 maj në Selanik.
“Jemi të angazhuar. Nuk mendoj se është e pamundur ta zgjidhim këtë çështje. Mendoj se është e mundur. Por as nuk dua ta nënvlerësoj. Po diskutojmë për takimin e radhës me ndërmjetësuesin, që do të mbahet së shpejtë. Mendoj se nëse e menaxhojmë kjo do të jetë fitore shumë e rëndësishme për ne dhe miqtë tanë grekë, por gjithashtu edhe për rajonin” – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.
Asnjë rezultat i ri konkret në drejtim të zgjidhjes së kontestit me emrin nuk është arritur ndërkohë që pala greke mbetet e prerë se marrëveshje mes Shkupit e Athinës për emrin do të arrihet vetëm në rast se Shkupi pranon që ta ndryshojë Kushtetutën. Zv/ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrugalos tha se nga pala maqedonase varet zgjidhja e kontestit.
“Dëshirojmë zgjidhje të tërësishme që të mos krijohet ndonjë problem i ri në dekadën e ardhshme dhe duam zgjidhje që do të ketë karakteristika të zgjatjes andaj është i nevojshëm ndryshim i Kushtetutës. Derisa nga pala tjetër përgjigjet në këtë, do të ketë marrëveshje, nëse jo, nuk do të ketë. Topi, qartë, është në anën e tyre” – u shpreh Jorgos Katrugalos, Zv/ministër i Jashtëm.
Kryetari i Kuvendit grek, Nikos Vucis theksoi se në rast se zgjidhja eventuale do të jetë në korniza të qëndrimeve greke, ajo do të ketë përkrahje të shumicës në ligjvënësin grek. Sipas tij zgjidhja është në interes të Greqisë.
“Në interes të vendit tonë është të kalohet çështja në bazë të një zgjidhjeje të përbashkët dhe të pranueshme për përdorim të përgjithshëm, me regjistrim kushtetues të emrit dhe me një marrëveshje të gjerë që do të vërtetojë, do të garantojë dhe do të inkurajojë një epokë të re në marrëdhëniet e popujve, jo vetëm në ekonomi por edhe në të gjitha çështjet që i shqetësojnë” – tha Nikos Vucis, Kryetar i Parlamentit të Greqisë.
Ditë më parë, Kocias tha se Shkupi nuk do të bëhet anëtare e NATOs në korrik, pasi edhe në rast se arrihet marrëveshje do të nevojiten së paku 4 muaj për referendum dhe ratifikim në Kuvend. Ndërsa kryeministri Zaev u shpreh optimist se vendi do të anëtarësohet në NATO, pasi emri do të zgjidhet deri në maj dhe se zgjidhje do të gjendet edhe për referendumin e ratifikimin.