Tetë ushtarët turq që gjetën strehim në Greqi pas grushtit të dështuar të shtetit, në korrik të vitit të kaluar, nuk do t’i dorëzohen Ankarasë.

Gjykata e Lartë në Greqi ka dalë në këtë përfundim duke refuzuar kërkesën e Turqisë për ekstradimin e tyre, pasi i akuzon për përfshirje në grushtin e shtetit dhe tradhëti. Ushtarët fluturuan me helikopter drejt Greqisë pas dështimit të grushtit.

Kryetari i Gjykatës së Lartë greke, Giorgos Sakkas tha pas bërjes publike të vendimit, se ekstradimi i tyre është refuzuar për shkak se nuk u garantohet që në Turqi do të përballen me një proces gjyqësor të lirë dhe të drejtë.

Qeveria greke ishte në dilemë në lidhje me rastin në fjalë dhe refuzimi me gjasa do të përshkallëzojë edhe më shumë tensionet diplomatike mes dy vendeve.

Ministri grek i drejtësisë, Stavros Kontonis tha para vendimit se Qeveria do ta respektojë atë, cilido qoftë ai.

Vendimi i Gjykatë së Lartë është vendim përfundimtar dhe nuk mund të apelohet.

Tre majorë, tre kapitenë dhe dy rreshterët turq u mbrojtën në procesin gjyqësor duke deklaruar se jeta e tyre do të vihej në rrezik nëse ekstradoheshin në Turqi.  Ata thonë se të afërmit e tyre në Turqi janë pushuar nga puna dhe u janë konfiskuar pasaportat nga autoritetet.

Kritikët e Presidentit Erdogan akuzojnë atë se po përdor grushtin e shtetit si justifikim për të goditur kundërshtarët e vet politikë, ndërsa qeveria turke deklaron se po pastron strukturat shtetërore nga të gjithë elementët terroristë.