Zëvendës kryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi ka përshëndetur sot miratimin e ndryshimeve të ligjeve që mundësojnë ndërtimin më të shpejtë dhe më të lirë të korridoreve 8 dhe 10D.

Grubi ka falënderuar deputetët që me votën e tyre u rreshtuan sot në anën e drejtë dhe nuk lejuan vazhdimin e sagës dashakeqëse të atyre që për pikë të ulëta politike nuk kursyen gjë pa thënë e nuk lanë gjë pa bërë për të bllokuar realizimin e investimit më të madh infrastrukturor në historinë e vendit.

Ai në postimin e tij, ka ripërsëritur shprehjen “Pushka top iu bëftë, por kjo S’NDALET” që shpreh përkushtimin e Qeverisë së vendit për të realizuar korridoret që janë shteg drejt horizontit të ri të zhvillimit ekonomik të vendit, edhe përkundër të gjitha obstruksioneve dhe dezinformatave të plasuara në opinion.