Gjuha shqipe futet në Prokurorinë publike (PP). BDI dhe LSDM janë dakorduar edhe për kërkesat e BDI-së. Këtë e ka bërë të ditur deputeti dhe funksionari i lartë i BDI-së, Artan Grubi, njofton gazeta KOHA.

“Do të ulen edhe kriteret për zgjedhjen e prokurorëve publik nga radhët e gjyqtarëve, që të sigurohet përfaqësim i drejtë. Po ashtu është pranuar edhe kërkesa e BDI-së që të ulet stazhi nga 15 në 10 për kandidatët për Prokuror Publik”, ka deklaruar deputeti Grubi.

Siç bëhet e ditur, kërkesa e tretë e Ahmetit për “Badenterin” nuk është pjesë e ligjit për arsye se i njëjti funksionon gjatë zgjedhjes së Prokurorëve Publik për krim të organizuar.

Kryeministri teknik Oliver Spasovski, së fundmi ka thënë se pret që të krijojnë shumicë parlamentare e cila do ta mbështesë Ligjin e ri për Prokurorinë publike, ndërsa lideri i LSDM-së Zoran Zaev tha se është arritur bazë mjaftë e mirë që të fillojë procedura për miratimin e këtij ligji.

Pas miratimit nga ana e Qeverisë, ligji duhet të shkojë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku në procedurë të shkurtuar duhet të merr mbështetje prej të paktën 2/3 e deputetëve.