Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, sot nga Strumica ka deklaruar se qytetarët duhet të jenë të zgjuar dhe të përgatiten për rezistencë të gjatë, sepse sipas tij, disa duan që me dhunë të hyjnë në qeveri.

“Kjo betejë nuk do të përfundojë për disa ditë. Për këtë populli duhet të jetë i gatshëm për rezistencë të gjaë. Zaev dhe banda e tij me çdo kusht duan që të hyjnë në qeveri, madje edhe me dhunë në Parlament, siç po flitet këtyre ditëve, sidomos për javën e ardhshme apo pas Pashkëve”, deklaroi Gruevski.

Ai shtoi se banorët janë të vedijshëm se “dikush ka shitur diçka”.

“Jetojmë në kohë të rënda dhe dramatike për unitetin, shtetin dhe interesat nacionale. Mirë që banorët çdo ditë e më shumë po sensibilizohen në masë dhe e kanë të qartë, madje edhe ata që votuan dhe përkrahën Zaevin, sot janë kundër tij. Në rrugë nuk janë vetëm votuesit e VMRO-së, por janë edhe shumë votues të LSDM-së”, tha Gruevski