Komisionari Evropian Johannes Hahn dhe tre parlamentarët evropianë që e shoqëronin gjatë vizitës së sotme në Shkup, i kanë thënë sonte qartë kreut të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevskit, se duhet ta respektojnë kushtetutën e vendit dhe së bashku me Kryetarin Gjorge Ivanov duhet të lejojnë formimi e qeverisë së re.

Kjo, mësohet nga komunikata që para pak çastesh, pas përfundimit të takimeve me krerët e partive parlamentare, ndër të cilët i fundit qe Nikolla Gruevski, e publikoi Komisioni Evropian në faqen e vet zyrtare.

“I takuam sot përfaqësuesit e partive parlamentare. Ne përsëritëm shumë qartë se të gjithë liderët e vendit, duke përfshirë edhe Presidentin, tani duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Në një demokraci, të gjithë duhet të pranojnë shumicën parlamentare”, thuhet në fillim të deklaratës së KE-së.

Në të gjithashtu thirret Ivanovi që “urgjentisht të rishqyrtojë pozitat e tij”, ngase zhvillimet e fundit në vend “tashmë seriozisht e kanë dëmtuar situatën ekonomike në vend”.

“Duhet qeveria e re shpejt. Shiheni shumicën parlamentare. Kushtetuta duhet respektuar”, ka shkruar shefi i kabinetit të Hahn, Michael Karnitschnig, në kohën kur delegacioni i BE-së me në krye Hahn, Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Knut Fleskenstein po takoheshin me Nikolla Gruevskin.