Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia mirëpret strategjinë e zgjerimit të Komisionit Evropian që u paraqit këtë muaj, pasi jep nxitje për të punuar më shpejtë mbi reformat e vendit dhe shoqërisë.

Pas takimit me kreun e Komisonit Evopian, Jean-Claude Juncker, Vuçiq ka thënë se vizita e tij në Beograd nxitë që të vazhdohet me reformat në procesin e anëtarësimit në BE dhe të vazhdojë të ndryshojë.

“Vetëm kështu ne mund të jemi pjesë e një shoqërie të cilës duam t’i përkasim”, ka deklaruar Vuçiq në një konferencë për media, transmeton lajmi.net.

Po ashtu, presidenti serb është takuar edhe me komisionerin për Zgjerim dhe Politikë të Jashtme, Johannes Hahn.

Ky i fundit përmes një postimi në Twitter, ka thënë se 2018-ta mund të jetë vit i përparimit vendimtar të Serbisë në rrugën drejt BE-së.

“Strategjia e re për Ballkanin Perëndimor duhet të jetë një nxitje e fortë për qeverinë e Serbisë. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe reformat në drejtësi janë vendimtare”, ka theksuar Hahn.