Haindl Ali Ahmeti

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dje në selinë e BDI-­së në Tetovë ka pritur të dërguarin e posaçëm të Qeverisë gjermane, ambasadorin Johanes Hajndël, i cili aktualisht ka rolin e ndërmjetësuesit kryesor. Sipas informacioneve të FOL, Haindl për dallim prej javës së kaluar, kësaj radhe ka qenë më i drejtpërdrejt dhe ka kërkuar sqarime konkrete prej Ahmetit se si mendon të zgjidhet kriza kur kontributi i tij dhe i BDI-së është në drejtim të kundërt të saj. 

Në komunikatën e BDI-së lëshuar për media, vërehet se Qendra informative e BDI-së kanë cenzuruar fjalët e Ambasadorit Johanes Haindl, ndërsa publikut i kanë servuar vetëm arsyetimet e Ahmetit.  

“Ahmeti falënderoi ambasadorin Hajndël për vizitën dhe e njoftoi për zhvillimet e fundit në vend, me këtë rast përshëndeti vendimin e Gjykatës Kushtetuese pas iniciativës së BDI­-së që mundësoi rikthimin e Parlamentit si parakusht elementar për çdo gjë, më pas anuluam zgjedhjet në afat të pacaktuar, njëkohësisht krijuam mundësi ligjore për tërheqje të faljes së Ivanovit, siguruam garanca për vazhdimin e punës së Prokurorisë Speciale, si dhe brenda vetëm një dite miratuam disa ligje të domosdoshme reformuese që nevojiten për punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Këto hapa rikthyen stabilitetin dhe sigurinë, ndërsa janë edhe parakusht për zbatimin e reformave që do të sjellin zgjedhje të besueshme. Ahmeti theksoi që Marrëveshja e Shkupit vijon në kapacitet të plotë, me Prokurori Speciale dhe Komision Zgjedhor të pavarur, ndërsa Qeveria do të zbaton reformat e parapara me përkushtim. Kryetari i BDI­-së Ahmeti gjithashtu ngriti nevojën për rikthim të agjendës së zgjidhjes së çështjes së emrit dhe ftoi ambasadorin Hajndël dhe Qeverinë gjermane që të fokusojnë energjinë në këtë drejtim pasi që të gjitha çështjet e këtij vendi burojnë nga ky problem”, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Reagim të ashpër patën edhe tre euro-deputetët Vaigl, Kukan dhe Hovit të cilët koalicionit qeverisës VMRO-BDI ju thanë troç se jeni joserioz dhe nuk i respektoni marrëveshjet.

Gjatë ditëve në vazhdim, priten edhe reagime të tjera të faktorit ndërkombëtar, të cilëve nuk ju pëlqejnë sjelljet e çuditëshme, sidomos të BDI-së./FOL