Në 29 vjetorin e pavarësisë së Maqedonisë nga ish Jugosllavia, ish deputeti Muhamet Halili, që ishte pjesë e përbërjes së parë parlamentare, ka folur edhe për konfliktin e vitit 2001 dhe rolin e BDI-së, në pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ai ka thënë se lufta e UÇK-së, avancoi pozitën e shqiptarëve por, sipas tij, lufta e 2001-shit është një histori që u përket të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm një partie politike, aq më pak BDI-së, ka thënë Muhamed Alili gjatë një interviste për Gazetën Lajm përcjell INA.

“Do të ishte neglizhencë të thuhet se nuk e përshpejtoi. Por, 2001-shi është një histori që u përket të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm një partie politike, aq më pak BDI-së, sepse është një vazhdimësi politike e luftës politike, pastaj si rezultat i mungesës së sukseseve. Ata bijë dhe bija që ishin pjesë e konflikit të vitit 2001, nuk kishin ngjyrë politike. Më vjen keq ata që sot në tubime politike shtiren se falë partisë tonë u bë kjo, ata gabojnë shumë dhe e keqpërdorin historinë. Madhështia e kësaj lufte sikur të gjitha forcat politike pjesëmarrëse edhe në konflikt, qoftë në luftë politike qoftë me pjesëmarrje aktive, do të vazhdonin të bashkuar edhe do t’i kurorëzonin fitoret e kësaj lufte me inkuadrim, ta zëmë, te pjesa e përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve, pa ngjyra politike, të barabartë në bazë të kompetencave, aftësive. Por, për fat të keq kjo nuk ndodhi dhe struktura të caktuara lavdërohen me këtë”, tha ish deputeti, Muhamed Halili.