Mesfushori sllovak, Marek Hamsik ka thyer rekordin shumëvjeçar të Diego Maradonës për gola të shënuara me fanellën e Napolit, duke u bërë lojtari që ka shënuar më shumë në histori të klubit italian.

Kapiteni i Napolit shënoi golin e tij të 116-të për klubin napolitan, në paraqitjen e tij 465-të me fanellën e kaltër.

Goli i Hamsikit erdhi si ndihmesë për fitoren e vështirë të Napolit me rezultat 3-2 ndaj Sampdorias, e cila ishte dy herë në avantazh.

Hamsik barazoi rekordin e Maradonës gjatë fundjavës së kaluar në një fitore 3-1 ndaj Torinos, pasi më parë nuk arriti të shënojë në 13 ndeshje radhazi.

Sllovaku pas golit të tij të 116-të hyn përfundimisht në historinë e Napolit si lojtari me më së shumti gola të shënuara në histori me fanellën e kaltër.

Megjithatë, Hamsikut i janë dashur plot 465 ndeshje për të shënuar 116 gola, ndërsa Maradona i kishte shënuar 115 gola për vetëm 259 ndeshje.

Pas Hamsikut dhe Maradonas në listë i treti gjendet Attila Sallustro me 108 gola, Edinson Cavani i katërti me 104 gola dhe Antonio Vojak me 103 gola të shënuara.

Ndryshe, Maradona ka fituar titullin e kampionit të Italisë me Napolin në vitin 1990, ndërsa Hamsik ende jo.