Kandidati për Kryeministër i koalicionit PDK-AAK-NISMA, Ramush Haradinaj, ka shpalosur një propozim për ndërtimin e një objekti të ngjashëm në komunat e mëdha të Kosovës që do të njihet si “Shtëpia e UÇK’së”.

Propozimin, Haradinaj e ka shpalosur gjatë takimit me veteranët e UCK’së, ku kandidati për kryeministër bashkë me kryetarin e PDK’së, Kadri Veseli shpalosen ‘Fillimin e Ri’, para kësaj kategorie.

Madje, Haradinaj tha se këtë propozim po e shpalos për herë të parë dhe po e befason edhe partnerin e tij nga PDK’ja, Kadri Veseli, shkruan Gazeta Express.

“S’kam pas rast me të thanë asnjëherë, por në Kosovë që do ta kemi në çdo komunë shtëpinë e UCK’së”, tha Haradinaj, duke iu drejtuar Veselit.

“Çka është shtëpia e UÇK’së? Në qendra e mëdha, do të jetë një objekt më i madh. Në cilin do vend që e sheh atë objekt, do ta dimë që është shtëpia e UÇK’së”, elaboroi tutje Haradinaj propozimin e tij.

Ai, tutje tregoi se në këto objekte përveç se do të vendosen shoqatat e veteranëve të UCK’së, aty do të ketë edhe muze dhe hapësira komerciale për organizatat e kësaj kategorie.

Kandidati për kryeministër, gjatë tubimit, potencoi edhe se nuk do të lejohet që askush më t’i përdhosë vlerat e luftës.

Ai tha se gjatë qeverisjes së kolacionit PDK-AAK-NSIMA, do të ketë një Kosovë që sovraniteti i vendit do të jetë tërësisht funksional.

“Një Kosovë që nuk lejon mo që Serbia me i shti duart te na. Çdo gjo tjetër mund ta diskutojmë, por jo që Serbia me pasë influencë në Kosovë”, tha kreu i AAK’së.