Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur dështim paraqitjen e kryeministrit Albin Kurti në takimin në Bruksel në procesin e dialogut me Serbinë.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se njohja reciproke do të duhej të ishte prioritet e jo temat e tjera.

“Është e habitshme, pse njohja e Kosovës nuk është prioritet i tij. Prioritet i parë i tij na qenka shndërrimi i CEFTA-s në SEFTA. Qesharake. Ashtu si edhe prioriteti i dytë, marrëveshja për paqe mes dy vendeve, e po ashtu edhe qasja për të pagjeturit”, ka shkruar ai.

Pas njohjes, Haradinaj ka shtuar se, nënkuptohet edhe paqja, statusi më i avancuar ekonomik dhe hap shtigjet për zbulimin e të vërtetës për të pagjeturit.

“Përndryshe, kjo qasje për të biseduar për tema, pa e njohur shtetet njëra tjetrën, siç kishte ndodhur më parë në procesin e dialogut, nuk ka rezultate, e në këtë fazë është edhe e rrezikshme për vendin”, ka thënë Haradinaj.