Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka komentuar publikimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një kërcënim që ai tha se i erdhi nga një organizatë deri tani e panjohur, e quajtur “Garda Vullnetare Shqiptare.

Haradinaj tha se kjo sjellje është “axhamillëk” nga ana e tij.

Ai ka thënë se ka pasur raste të tilla kur ishte kryeministër, por kërcënimet e ndryshme ia ka lënë organeve të sigurisë.

“Është një axhamillëk i Kurtit me dal me postim për këtë. Ka pas raste kur m’u ka shtu siguria, sepse më është bërë ndonjë kërcënim, ekziston një rrezik. Kryeministri që e mbron krejt vendin, nuk duhet të veprojë kështu”, tha Haradinaj për reporterin.

Haradinaj theksoi se sjellja e Kurtit iu duk qesharake. Ai tha se kryeministri mbron popullin dhe nuk duhet të bëhet viktimë.

“M’u duk qesharake kjo gjë. Kryeministri duhet me rujtë integritetin e institucionit. Nuk duhet të dal kryeministri me postime të tilla, e pastaj ta ndërlidhë me Gjykatën Kushtetuese. Në kohën e internetit këto gjëra janë bë të lehta. T’u nejt mas koftorit lehtë është me luftu, thoshim ne në luftë”, theksoi ai.

Ndërkaq, sa i përket presioneve mbi Gjykatën Kushtetuese, Haradinaj tha se gjykatës nuk do të ndikohen sepse ata e përfillin ligjin veprojnë sipas të drejtës së tyre.

“Gjykatësit s’duhet me u mërzitë për presionet. Ata duhet me përfillë normën. Ata duhet të jenë të pandikueshëm. Mediat, analistët e politikanët mund të flasin, por ata e kanë të drejtën të vendosin. Vendimi i tyre është i mbrojtur me ligj”, theksoi ai.