yrtari i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka deklaruar për Gazetën Express se Ramush Haradinaj, tashmë ka nisur bisedimet me partitë dhe deputetë për të formuar Qeverinë. Zëdhënësi i Haradinajt thotë se lideri i tyre po bisedon me deputetët duke theksuar se ata janë të lirë për të vendosur vetë rreth mandatit të tyre. “E para në këtë vend ka një standard për krijimin e Qeverisë është që një parti politike ose një koalicion e merr pozitën e parë dhe në momentin që merr pozitën e parë e ka të drejtën që ta krijojë Qeverinë. Në një situatë të tillë ndodhet edhe zoti Haradinaj dhe ai po bisedon edhe me formacione politike e edhe me parti politike, por edhe me deputetë” ka thënë Nitaj.

Ai i ka hedhur poshtë deklarimet për kontrabandim të deputetëve. “Unë nuk e kuptoj konceptin se si mund të kontrabandohet një deputet pasi deputetët janë të lirë të bëjnë çfarë të duan me mandatin e tyre, mandati është i deputetëve dhe ata e kanë gjithë të drejtën e tyre dhe komoditetin që të vendosin ta mbështesin një kandidat të caktuar ose jo”, është shprehur Nitaj. KQZ-ja ende nuk e ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve, madje ende nuk dihet dita se kur do të shpallet rezultati. Nitaj bën të ditur se ata nuk janë duke biseduar vetëm për të pasur numra minimalë për ta formuar Qeverinë, por thotë se janë duke punuar që ta kenë një qeveri me një numër përmbajtjesor për funksionimin e Qeverisë.

“Ne jemi në bisedime për ta krijuar një mbështetje ose një numër përmbajtjesor për funksionimin e Qeverisë, nuk bisedohet këtu për krijimin e numrave minimalisht që janë 60+ por ne jemi në përpjekje për ta siguruar një mbështetje përmbajtjesore e cila nënkupton një numër të madh të deputetëve për krijimin e Qeverisë”, ka thënë ndër tjerash Nitaj. Ndërkaq, zëdhënësi i AAK-së i pyetur se kur pritet të bëhen publike bashkëpunimet me deputet të partive tjera, ai tha se vetëm pasi të bëhen certifikimet e rezultateve, dihet kush është bërë deputet dhe kush jo. “Është shumë herët që të bëhet publike pas ne besojmë që me datën diku 4 do të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve, do të dihen saktë se kush janë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës dhe tek pastaj nis faza tjetër që nënkupton faza e finalizimit të marrëveshjeve qoftë me parti politike qoftë me deputet për krijimin e Qeverisë”, ka thënë ai. Ndryshe, vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme më 11 qershor, pasi Qeveria Mustafa u votua në Parlament për rrëzimin e tij.