Pacientët të cilët e kalojnë virusin korona përballen me shumë sfida shëndetësore. Ndër pasojat është lodhja, e shpesh dëgjojmë edhe për problemin e kujtesës. Nuk ka thuajse asnjë pacient që e ka kaluar virusin pa u ndjerë i lodhur për një kohë dhe me mungesë të kondicionit.
Mirëpo këto nuk janë pasojat e vetme që lë ky virus, shpjegon mjeku Sedat Lumani. Covid-19 prek në çdo organ e më së shumti në shqisa, sistemin e frymëmarrjes, tretës dhe atë kardiovaskular, thotë ai.

“Pasojat janë të gjithanshme, si ato që i përmendët ju. Nga sistemi nervor qendror kemi një çrregullim të memories, paaftësisë së kthjelltësi së pacientëve. Në sistemin nervor periferik kemi reflekse të ngadalësuara, fuqia apo sistemi lokomotor është shumë i ngadalësuar. Kapaciteti i frymëmarrjes apo saturimi jo rrallë herë mbetet ndër nivelin e maksimumit. Te sistemi kardiovaskular, kemi një lodhje shumë të shpejtë me dy tre hapa apo pesë hapa, lenë pasoja në çdo organ, sidomos edhe te të nuhaturit”, tha mjeku Sedat Lumani.

Edhe pse mjekësia është ende duke i hetuar efektet që lë pas virusi korona, këto janë disa efekte që përsëriten tek një numër i madh pacientësh. E pasojat mund të jenë të përkohshme ose të përhershme, thotë mjeku Lumani, duke shtuar se pasojat janë edhe psikike.

“Kemi njerëz që bien në një gjendje psikologjike të keqe, një ankth, depresion psiko-depresiv, të cilëve u duhet një tretman subspecialistik që duhet në masë të shërohet. Nuk kemi të bëjmë me një individ por problemi është masiv, një numër bukur i madh i njerëzve kanë pasoja emotive-psikike”, shtoi mjeku Sedat Lumani.

Dëshmitë mjekësore nga bota deri më tani kanë zbuluar që simptomat tipike te rreth 35% e pacientëve me koronavirus, pas fazës akute, përfshijnë lodhje, dhimbje gjoksi dhe kollë.

Përveç problemeve fizike, jo pak pacientë kanë edhe probleme mendore, siç janë ankthi, depresioni, simptoma të ngjashme me çrregullimin e stresit post-traumatik. Disa nga simptomat zhduken më shpejt, pas 2-4 javësh, një pjesë tjetër e simptomave mund të jenë të pranishme 4 deri në 6 muaj. Trajtimi i simptomave bëhet me terapi, varësisht organit i cili është atakuar./тv21