arban balliuOpinion nga Arban Balliu

Kur lëmshi nuk zgjidhet , ai gjithmonë mbështillet dhe ngatërrohet edhe më tepër. Ai nuk mund të zgjidhet dhe pa dashur bëhet një enigmë. Në rastin tonë, populli bashkë me politikanët janë përzier, janë ngatërruar dhe janë bërë një lëmsh i pa zgjidhur. Kur populli nuk reagon për gabimet që bëjnë politikanët, ai dita ditës bëhet pjesë e pandashme e atij lëmshi. Nga ana tjetër politikanët natë e ditë i luten Zotit për një dhe vetëm një dëshirë, që të zgjatet edhe më lëmshi që të fitojnë mandat të ri për të sunduar popullin. Vallë, kur kanë fituar më parë dhe kur fitojnë tani, a mendon o popull i nderuar se politikanët janë sipër jush e mbi të gjithë ju, apo ju o popull jeni sipër e mbi të gjithë ata politikanë që i kanë bërë punët lëmsh.

Që ne shqiptarët nuk jemi në gjendje t’i shkulim vetë nga karriget pushtetarët që harrojnë të largohen, kjo tashmë dihet. Nuk e njohim fjalën protestë, në kuptimin e mirëfilltë të saj. Psikologjia e idhujtarisë primitive na pengon për këtë. As e kemi pasur dhe as sot nuk e kemi instinktin e saj. Po të hysh thellë e të vështrosh në historinë e popullit tonë, për mungesën e kulturës së protestës, edhe mund të gjesh ndonjë shpjegim. Por më e vështirë është të shpjegosh fenomenin e harresës kolektive, që vazhdon të na mbajë mbërthyer. Dhe këtu nuk e kam fjalën për një harresë të largët. Jo. Dua të them për harresën që u përket ngjarjeve dhe krimeve të bëra mbi shqiptarët.

Për ato ngjarje që kanë ndodhur dhe kemi përjetuar ne, brezi ynë, kam përshtypjen, se po të funksiononte mos-harresa (dmth kujtesa) jonë kolektive, sot në Maqedoni gjërat do të ishin krejt ndryshe. Kështu, po të mos ishte harruar, Ladorishti, Bitpazari, Gostivari, Tetova me USHT-në dhe mëpas Sopoti, Brodeci, Monstra dhe Lagja e Trimave ne Kumanovë, nuk do të kishte mbijetuar ai “burri” i BDI-së. Patjetër, nuk do të kishim dëgjuar përrallat me mbret nga goja e tij me shprehjen retorike: “njëher popullin mund ta gënjesh, ama për së dyti s’mund t’ia hedhish, mos gënje, se prap do dalësh te ura e Siratit, populli njëher të beson” e shumë e shumë të tjera.

Po të mos kishim harruar rastet e mësiperme, nuk do të kishim mbërritur këtu ku jemi. Po të mos kishim këta “burra”, nuk do të kishim me dhjetëra e dhjetëra të vrarë që u harruan. Po të mos kishim këta “burra” s’do kishim me qindra e qindra burgosje politike. Po të mos i kishim harruar të gjitha këto, nuk do të kishim korrupsion dhe mitmarrje në këto masa frapante. Po të mos na kishte mbërthyer harresa sa herë që votonim, nuk do të kishim këte mjerim që po e vuan populli, patjetër nuk do t’i kishim…

Po të mos harronim kaq lehtë autorësinë e këtyre krimeve (kaq mendjelehtësisht më mirë të thuash) nuk do të kishte as 9 dhe 10 Maj, me vrasës dhe të vrarë ato ditë. Harresa e krimit na çoi te krimi i harresës dhe anasjelltas…

Ne, edhe sot e kësaj dite, e kemi të vështirë “të mbajmë mend” se kush e hapi lojën e “të fortëve” në komisionet zgjedhore, qysh në votimet e 2002-it. Kush i nxori i pari kriminelët e rrugës dhe i vuri aty ata para kutive të votimit? Po të mos ishte kjo katrahurë, nuk do të ishte nevoja që aleancat kundër BDI-së, të bëheshin ashtu siç u bënë. Nuk do të lidheshin marrëveshje, duke u mjaftuar që kandidati të kalonte vetëm testin “e forcës” përballë banditëve. Këta aleatë, vështirë se do ta shikonin siglën e çdo partie serioze, po të ishte bërë traditë që të liheshin të qetë njerëzit që të votonin dhe komisionerët të numëronin ndershmërisht votat…

Por kjo nuk ndodhi kurrë, dhe harresa jonë kolektive, për çka thamë më sipër, ka pjesën e vet të fajit. Për SELFIXHINJTE në listat e BDI-së dhe aleancën me VMRO DPMNE-së, veç Ali Ahmetit, përgjegjësi mbajmë të gjithë ne. Po të kishim pak më shumë kujtesë sa herë kur votonim, nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Nuk do të kishim turp për deputetët tanë, tanimë të turpëruar ndërkombëtarisht. Nuk do të kishte ardhur kjo ditë, që përsëri të huajt, si Han e VanHojte këtë radhë, të na tregojë ne se kush janë përfaqësesuesit “LEGJITIM” shqiptar. Edhe kujtesën, presim të na e zgjojë përsëri ndojë ambasadë e huaj apo ndoj lehtësues i huaj…

Po ashtu, vetëm për shkak të krimit të harresës sonë kolektive, numri i të vrarë deri tani është tmerrësisht i madh. Kur shkonim në votimet e mëparshme, shumë nga ne kishim harruam fare se disa policë, një e nga një, apo edhe me shume ishin gjithmonë të tradhtuar brenda radhëve të kupolës së Policisë së Shtetit, pasi ekziztonte shteti i të “fortëve”. Ne harruam dhe ky ishte një krim kolektiv i yni. Asnjë votë nuk duhej t’u jepnim vrasësve, por ne u dhamë atyre aq për qind sa u duheshin dhe pastaj ata vetë, bashkë me votat e vjedhura dhe me aleancat kriminale u bënë shumicë…

Fatkeqësisht, duket se harresa na është bërë një sëmundje kronike si popull. Këtë e pamë edhe kur MISS Ministresha JANKULLOVSKA dha dorëheqjen. Qysh në momentet e para të saj, duke marrë “përgjegjësinë (krimin) mor-ale”, reagimi i parë që u nxitua të bëhej ishte harresa për të. Nga shumëkush u nxitua të harrohet se është hera e parë që na serviret kultura e dorëheqjes për principe morale. Me këtë bëmë që plumbin që ka në trup shqiptari, “peshqesh” nga përballja me kriminelë, u harrua.

Edhe se arrestimet, persekutimet, eliminimet qe u kryen po nga Shërbimi i Brendshëm i kësaj Ministrie, u harruan. Le të “harrojë” pozita. Ajo atë punë ka. Lidershipi i saj “ka harruar” me kohë, se është e inkriminuar deri në palcë. Ne si popull, që të mos përsëriten krimet, nuk duhet të harrojmë. Ne nuk duhet të harrojmë, se të harrosh krimet është kurdoherë kriminale. Nuk duhet të harrojmë, as kur shkojmë të votojmë (poqese shkojme ne votime) për asnjë çast ca krime, ca kriminelë dhe ca gjëra të tjera…

Prandaj shqiptare, bashkëkombas të mi, për frigë hilac s’ka, mjafton të keni vullnetin, kurajon dhe besimin në Zotin e Madhërishem.

(Autori është Anëtarë i Kryesisë Qendrore  të LR-PDSH-së