Gjysma e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nuk mund të përballojnë koston e harxhimeve të paparashikueshme. Ndër to, sipas analizës të EUROSTAT-it (Zyra Evropiane të Statistikave) janë humbja e paparashikuar e vendit të punës, zëvendësimi i lavatriçes apo veturës,problemin e madh shëndetësor që kërkon më shumë para për mjekim dhe probleme të ngjashme që nuk mund të parashikohen që më parë. Njëherësh, edhe masat e ndryshme restriktive që u ndërmorën në tre muajt e fundit në botë dhe Evropë, sërish kanë aktualizuar mundësinë e përballjes me harxhimet e paparashikueshme financiare, sidomos në kushte të humbjes së vendit të punës apo uljes së pagave.

Ekspertët e ekonomisë thonë se edhe statistikat për 22 për qind të popullatës së varfër, jo barazinë në të ardhura, pagat e vogla, ekonomia informale, e kështu me radhë – tregojnë se pas zbutjes së pandemisë dhe përfundimit të zgjedhjeve, kurdo qoftë që ato të mbahen, nevojiten të luftohet më fuqishëm për punësim më të madh dhe të ardhura më të larta për qytetarët. “Ekzekutivi i ri nevojitet të adresojë dhe të ndihmojë si popullatën që jeton në një varfëri të madhe, që është e papunë për një kohë më të gjatë, si dhe popullatën që nuk mund të përballojë harxhimet e paplanifikuara e që nuk mund të ngrohë shtëpinë e tyre, nuk mund ti lejojë vetes ushqim më cilësor apo nuk mund as të shkojë një javë për pushime”, thotë profesori i ekonomisë, Neritan Turkeshi. Sipas tij, të gjithë qeveritë në 30 vitet e kaluara me më shumë apo më pak sukses kanë përmirësuar gjendjen ekonomike të popullatës, mirëpo mbetet obligimi që një mandat katërvjeçar, të rritet më shumë si mirëqenia e popullatës ashtu edhe pagat që paku duhet të plotësojnë një minimum jetik. Pra, sukses do të ishte nëse për një periudhë prej katër vjet, do të arrihet që së paku t’i afrohemi nivelit të pagës mesatare për shumicën e të punësuarve, apo me fjalë të tjera që pagat të arrijnë një mesatare prej 450-500 euro për shumicën e të punësuarve, nga afër 250 deri 350 euro sa pranojnë një pjesë e madhe e të punësuarve, shton më tej Turkeshi.

Në ndërkohë, edhe shtetet e tjera të rajonit kanë përqindje të lartë të qytetarëve që nuk mund të përballojnë harxhimet e paparashikueshme, ku prin Mali i Zi me 73 për qind të popullatës, Serbia me afër 40 për qind, Kroacia me 52 për qind, Rumunia me 44 për qind. Edhe në shtetet që nuk janë përshirë në analizën e EUROSTAT-it si Shqipëria, Kosova apo Bosnje e Hercegovina – ekziston një përqindje e madhe e popullatës që vështirë do të përballonte koston e harxhimeve që nuk parashikohen.

Njëherësh, edhe të dhënat e ndryshme dëshmojnë se Ballkani, sipas zhvillimit ekonomike dhe të ardhurave, çdo herë ka ngecur pas Evropës Perëndimore. Këtë e dëshmojnë edhe të dhënat për vlerën e Prodhimit të Brendshëm Bruto për kokë banori që në Evropën perëndimore janë diku afër 40 mijë dollarë, ndërsa në shtetet e Ballkanit me përjashtim të Greqisë, janë ndërmjet 10 mijë dhe 20 mijë dollarë. Bile krahasimi ndërmjet shteteve më të pasura dhe më të varfra në kontinentin e vjetër do të tregonte se ku hendek ekonomik, social dhe zhvillimor – do të ishte edhe më i madh. Një nga ekonomistët e Bankës Botërore, Branko Milanoviq, thotë se një pjesë e madhe e jo barazisë në të ardhura e ka burimin edhe tek vendlindja.

“Afër 60 për qind e dallimit në nivelin e të ardhurave në mesatare dhe në perspektivën globale varet nga vendi ku keni lindur. Edhe 20 për qind të tjera varen nga pasuria e prindërve dhe 20 për qind të tjera varen nga aftësitë e juaja që të fitoni më shumë të ardhura”, thotë eksperti Branko Milanoviq. Sipas tij, dikur kishte me rëndësi edhe fakti se a jeni lindur në një familje të pasur, për shkak se më të varfrit në shtetet e varfra, kishin njësoj të ardhura të ulëta me të varfrit në shtetet e pasura. Mirëpo, shton ai, me zhvillimin e revolucionit industrial, është përshpejtuar rritja e të ardhurave në Evropë dhe Amerikë, ndërsa ajo stagnon në Azi dhe Afrikë. Gjithashtu, me kalimin e kohës, të varfrit në shtetet e pasura kanë më shumë të ardhura se shtresa e mesme apo edhe të pasurit në shtetet e varfra.

VARFËRIA KËRCËNON BOTËN

Afër 60 milionë persona do të preken nga varfëria ekstreme si pasojë e ndikimit ekonomik të pandemisë së koronavirusit, për shkak se përpjekjet aktuale për rikuperim po tregohen të pamjaftueshme. Nga Banka Botërore thonë se me miliona jetë janë shkatërruar, përderisa sistemet shëndetësore ndodhen në gjendje katastrofike. Varfëria ekstreme, sipas Bankës Botërore, përcaktohet me jetesën me më pak se 1.7 euro, ose 1.9 dollar në ditë për person. Presidenti i Bankës Botërore, David Malpas, po udhëheq përpjekjet që banka të ofrojë 160 miliardë dollarë në formë grantesh dhe borxhe me kamata të ulëta për të ndihmuar vendet e varfra për të luftuar krizën. “Për t’u rikthyer tek rritja, reagimi ynë duhet të jetë i shpejtë, me përgjigje fleksibile, duke ofruar para dhe mjete të tjera mbështetëse për të mbrojtur të varfrit, sektorin privat dhe për të përforcuar rikuperimin e ekonomisë”, thotë Malpas. (koha.mk)