Gati gjashtë muaj pas vërshimeve në Hasanbeg të Shkupit, familje të tëra ende nuk kanë arritur të gjejnë strehim adekuat. Njëra ndër to është edhe familja Azemi.  Pesë anëtarë të kësaj familjeje jetojnë në një dhomë dhe pa të ardhura.

“Nga shteti i kam marr vetëm 1 100 euro, asgjë më tepër. Këtu të gjithë flemë, fëmijë e të rritur. Jemi pesë anëtarë. Jam ankuar për vlerësimin por nuk kam marr përgjigje”, u shpreh kryefamiljari Muzafer Azemi.

Në gjendje të njëjtë është edhe familja Iseni. Nga kompensimi kanë marrë vetëm 30 mijë denarë, shumë kjo me të cilën nuk kanë mundur të rinovojnë asgjë.

“Vetëm nga njerëzit që na kanë ndihmuar, sepse shteti na dha vetëm 500 euro. Dëm kemi pasur shumë, sikur po e shihni edhe ju, të gjitha janë shkatërruar nga vërshimet. Në një dhomë qëndrojmë të gjithë, tetë anëtarë në një vend”, tha kryefamiljari Rafiz Iseni.

Një numër i banorëve që kanë dërguar ankesa për vlerësimet ende nuk kanë marrë përgjigje. Arsyetimi i autoriteteve është situata politike. Nga vërshimet e 6 gushtit të vitit të kaluar, mbi 100 familje pësuan dëme materiale. Vërshimet i morën jetën 23 personave. Për kompensimin e dëmeve Qeveria ndau 2 miliardë e 400 mijë denarë të cilat ende nuk janë ndarë për të gjitha familjet e përmbytura. Ndërkohë, as kompensimi i dëmeve bujqësore dhe të makinave ende nuk ka përfunduar.