Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, të hënën ka kërkuar nga institucionet e Shqipërisë zbardhjen e rastit të tre gjilanasve të cilët vdiqën në Durrës.

Në një adresim për medie, Haziri theksoi se është në interes, përveç të familjes, edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bëhet e ditur se si janë trajtuar bashkëqytetarët e tij nga institucionet shëndetësore të Shqipërisë.

Kësisoj, ai tha se do të angazhohet personalisht për t’i vizituar institucionet e Shqipërisë për hetimin e vdekjes së Elfete, Afrim dhe Ferzinaze Halitit.

“Do të bëjë presionin në organet e shtetit, në Republikën e Shqipërisë duke vizituar edhe institucionet më të larta të Shqipërisë duke kërkuar dhe deri në ditën e fundit do të kërkoj drejtësi”, ka thënë Haziri.

Haziri theksoi se do të kujdeset që të mos neglizhohet zbardhja e rastit, duke përmendur mes tjerash si shembull edhe vdekjen e të riut Agon Musliu, i cili vitin e kaluar u hodh nga ndërtesat e konvikteve në Prishtinë.

Ai tha se Shqipëria e ka obligim që ta zbardhë vdekjen e shtetasit të vet, duke iu referuar të ndjerit Afrim Haliti.

“Në këtë rast ata kanë qenë në shtëpinë e tyre, Afrimi ka qenë shtetas shqiptar dhe ne jemi të barabartë dhe në shtëpinë tonë kudo që jemi në Shqipëri, ata kanë një obligim ndaj qytetarit të vet dhe të qytetarit të Gjilanit me zbardh rastin deri në fund”, ka thënë ai.

Sipas Policisë së Shqipërisë, tri viktimat e familjes Haliti kanë pësuar pasi kanë ngrënë kërpudha që i kanë mbledhur vetë në pyllin afër Gjirit të Lalzit, ku ata kishin një banesë. Policia ka ngritur dyshime edhe për mostrajtimin adekuat nga mjekët në qendrën spitalore në Manzë, te Gjiri i Lalëzit.

Edhe familjarët e tri viktimave kanë ngritur dyshime se vdekja e atyre ka ardhur si pasojë e neglizhencës në trajtimin mjekësor.

Për ngushëllime në familjen Haliti, të hënën, ka shkuar edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.